1-vjetori i sulmit në Banjskë, reagon BE: Të gjithë përgjegjësit duhet të japin llogari

1 vjetori i sulmit ne banjske reagon be te gjithe pergjegjesit duhet te japin llogari
1 vjetori i sulmit ne banjske reagon be te gjithe pergjegjesit duhet te japin llogari

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë se pret nga Serbia të ndërmarrë hapa të nevojshëm për t’u siguruar që të dyshuarit për kryerjen e sulmit vdekjeprurës kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, të japin llogari.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe e akuzon shtetin e Serbisë se ka gisht në të. Serbia i ka mohuar akuzat.

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria kosovare, Radoiçiq cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë se a duhet Serbia të bashkëpunojë me Kosovën në proceset gjyqësore që do ta pasojnë, Stano tha:

“Po, kjo është ajo që ne kemi nënvizuar në mënyrë të vazhdueshme, për ato raste ku kryesit e dyshuar janë në Kosovë”.

Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.

Stano tha, gjithashtu, se Serbia duhet të bëjë më shumë edhe në lidhje me të dyshuarit për sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it, ndaj mediave dhe qytetarëve në trazirat e muajit maj të vitit të kaluar.

“BE-ja, në mënyrë të përsëritur, ka shprehur pritjet që Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të kapur dhe për t’i sjellë shpejt para drejtësisë kryesit e akteve të dhunës nga ana e protestuesve serbë të Kosovës ndaj qytetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, organeve të rendit dhe mediave, më 29 maj të vitit 2023. Gjithashtu, edhe për sulmet e dhunshme më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, tha ai.

Qershorin e kaluar, gazetarë të mediumeve të ndryshme u sulmuan fizikisht teksa po raportonin nga komuna e Leposaviqit, një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, sipas Policisë së Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës u rritën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, u vendosën në ndërtesat komunale.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e KFOR-it në Zveçan, me ç’rast u lënduan rreth 100 ushtarë të misionit paqeruajtës./REL

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →