Tre persona humbën jetën si pasojë e sulmeve ruse në qytetin Krivi Rih, njoftuan autoritete vendase. Sulmi la të vrarë një 12 vjeçar dhe dy gra të moshuara, deklaroi guvernatori rajonal Serhiv Lysak. “Përsëri, një sulm i trmerrshëm i armikut në Krivi Rih. Në mes të natës, kur qyteti flinte”, shkroi ai në rrjetin Telegram.
Ai tha se tre persona të tjerë u plagosën dhe më shumë se 22 banesa u dëmtuan.
Krivi Rih, qyteti më i madh për prodhimin e çelikut, ndodhet pranë territoreve të kontrolluara nga Rusia dhe është vazhdimisht objektiv i sulmeve ajrore ruse.
Ndërkohë, mediat ruse njoftuan për shpërthimin e një depoje armësh në Rusi si pasojë e sulmeve me dronë nga Ukraina. Ministria e Mbrojtjes ruse tha se Ukraina kishte lëshuar gjatë orëve të natës rreth 100 dronë në zonën e pushtuar të Krimesë.
Autoritetet ruse mbyllën të shtunën segmentin e një autostrate prej 100 kilometrash dhe evakuuan pasagjerët nga një stacion hekurudhor aty pranë pasi zjarri shkaktoi një seri shpërthimesh.
Ndërsa kanë kaluar më shumë se 2 vite e gjysmë që nga fillimi i agresionit rus, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se ka një plan për ta fituar luftën ndaj Rusisë dhe synon që t’ia prezantojë Presidentit Joe Biden gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë më 26 shtator.
Presidenti Zelenskyy do të ketë një takim të veçantë edhe me Nënpresidenten Kamala Harris ndërsa deklaroi se shpreson të ketë edhe një takim me kandidatin republikan për president Donald Trump.
Ish Presidenti Trump dhe zoti Zelenskyy kanë biseduar në telefon në muajin korrik, por nuk janë takuar personalisht që nga largimi i zotit Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Një ditë më parë Bashkimi Evropian u zotua t’i japë Ukrainës deri në 39 miliardë euro si pjesë e një kredie të organizuar nga grupi i shtatë (G7) vendeve kryesore industriale të botës. Qëllimi i ndihmave të G7-ës është të ndihmojë vendin të rindërtojë ekonominë dhe rrjetin energjetik të tij të shkatërruar nga lufta./ Zëri i Amerikës
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co