AKU ka reaguar me një njoftim zyrtar lidhur me dyshimet se në tregun shqiptar është shitur akullore me përbërje kancerogjene. Debati u aktivizua së fundmi pas një raportimi në Komisionet Parlamentare nga KLSH, e cila risolli në vëmendje se gjatë periudhës mars-maj të vitit 2021, në tregun shqiptar kishin hyrë sasi akulloresh, për të cilat u zbulua se kishin prani të oksid etilenit, i cili shkakton kancer dhe leucemi. Sipas raportit të KLSH, rezulton se janë konsumuar 13.2 ton akullore me oksid etileni, nga 17,5 ton akullore që u blenë në total. Sipas gjetjeve produktet janë shitur kryesisht në: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit duke reaguar lidhur importin e akulloreve nga Franca, informon mbi procedurat që janë ndjekur dhe masat e marra në kuadër të garantimit të sigurisë ushqimore me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
AKU bën të ditur se më datë 30.07.2021 ora 11.49 PM nga sistemi RASFF informohet se Shqipëria është në listën e 47 vendeve të cilat janë furnizuar me produktin akullore të prodhuar nga një kompani franceze, e cila përmbante substancën e paautorizuar “oksid etileni” në stabilizuesin “lygomme” të përdorur për prodhimin e akullores.
AKU thotë se ka kryer verifikimet e sasisë të importuar për lotet respektive të evidentuara në njoftim, si dhe ka nisur inspektimin në operatorë të biznesit ushqimor me qëllim ndjekjen e gjurmueshmërisë së produktit dhe tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e tij.
“Importet për këtë produkt sipas loteve të përcaktuara nga sistemi RASFF janë kryer gjatë periudhës nga data 01.03.2021 deri me 22.05.2021 (data para daljes së njoftimit nga sistemi RASFF me datë 31.07.2021). Brenda periudhës 7 ditore nga marrja e njoftimit, është kryer inspektimi në subjektet respektive dhe më pas është bllokuar dhe asgjësuar e gjithë sasia e këtij produkti”, informoi AKU.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co