Drejtuesit e 19 agjencive të OKB-së dhe organizatave partnere shprehën zhgënjimin e tyre në një deklaratë të përbashkët të mërkurën, ku i bëjnë thirrje Izraelit “të përmbushë detyrimin e tij ligjor” për të dërguar furnizime mjekësore dhe ushqime, si dhe të ndihmojë operacionet humanitare në Gazë. Deklarata u bën thirrje edhe udhëheqësve botërorë të parandalojnë një katastrofë edhe më të keqe.
“Sëmundjet janë të gjithëpranishme. Uria është pranë. Uji është me pikatore. Infrastruktura bazë është shkatërruar”, shkruhet në deklaratën e organizmave humanitare. “Prodhimi i ushqimeve është ndalur. Spitalet janë shndërruar në fusha beteje. Një milion fëmijë përballen me trauma të përditshme”.
Drejtuesi i operacioneve humanitare të OKB-së, Martin Griffiths, i cili kryeson komitetin drejtues të konsorciumit të organizatave humanitare, së bashku me drejtuesit e Programit Botëror të Ushqimit (WFP), të Organizatës Botërore të Shëndetit (WHO), Fondit të OKB-së për Fëmijët (UNICEF), si dhe organizatat CARE International, Mercy Corps dhe të tjerë, thanë se civilët palestinezë janë të zhvendosur, të traumatizuar, të uritur dhe me pak mbështetje. “I bëjmë thirrje Izraelit të përmbushë detyrimin e tij ligjor, sipas legjislacionit ndërkombëtar humanitar dhe legjislacionit për të drejtat e njeriut, që të ofrojë furnizime mjekësore dhe ushqime, si dhe të lehtësojë operacionet e ndihmave dhe udhëheqësve botërorë që të parandalojnë që të ndodhë një katastrofë edhe më e keqe”, thanë ata.
Deklarata e tyre vjen një ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton ndaj një projekt-rezolute të Këshillit të Sigurimit ku bëhej thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe ndërsa numri i viktimave palestineze po i afrohej 30 mijëve në gati pesë muaj luftime mes Izraelit dhe Hamasit. Lufta u shkaktua nga Hamasi me sulmin terrorist të 7 tetorit brenda territorit të Izraelit, ku zyrtarët thanë se u vranë 1200 persona. Rreth 250 të tjerë u morën peng dhe rreth 130 prej tyre vazhdojnë të mbahen në Gazë.
Zyrtarët e OKB-së thonë se operacionet e tyre humanitare janë në gjendje shumë të rënduar, me vetëm 12 spitale që funksionojnë pjesërisht dhe ndërsa personeli i tyre punon në kushte të paimagjinueshme. Zyrtarët thonë se asnjë sasi ndihmash nuk mund të zhbëjë muajt e vuajtjeve të banorëve të Gazës, por se vazhdojnë të jenë të angazhuar për t’i lehtësuar këto vuajtje, pavarësisht rrezikut. “Kjo është përpjekja jonë për ta shpëtuar operacionin humanitar, në mënyrë që të mundemi të ofrojmë të paktën më minimalet: ilaçe, ujë të pijshëm, ushqim dhe strehim, ndërsa temperaturat bien”, thanë ata.
Komiteti i organizmave humanitare bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe mbrojtjen e civilëve. Ata gjithashtu bënë thirrje për pika hyrjeje më të qëndrueshme në Gazë për autokolonat e ndihmave, përfshirë në Gazën veriore, ku nuk hyjnë ndihmat pothuajse fare dhe ku mendohet se mbizotëron uria. Izraeli mohon se pengon apo kufizon shpërndarjen e ndihmave dhe ka akuzuar Hamasin se i devijon ato. Agjencia izraelite për koordinimin e ndihmave, COGAT, thotë në faqen e saj në internet se ka lehtësuar hyrjen e mbi 250 mijë tonëve ndihma, përfshirë ushqime, ujë, ilaçe dhe pajisje për strehimin në Gazë që nga fillimi i luftës, si dhe karburant dhe gaz për gatim. Sipas COGAT, të martën p.sh. u lejuan të hyjnë 98 kamionë me ndihma në Gazë, pasi u inspektuan.
Përpara luftës, OKB-ja thotë se mesatarisht hynin 500 kamionë në ditë në Gazë, me ndihma dhe furnizime komerciale për 2.3 milionë banorët dhe se niveli i tanishëm i furnizimit është i pamjaftueshëm për përmasat e kësaj emergjence. Komiteti i organizatave të ndihmave bëri gjithashtu thirrje për financimin e organizatës së OKB-së për ndihmat për palestinezët, UNRWA. Ajo shërben si shtylla kryesore e operacioneve humanitare në Gazë, por u përballë me një krizë ekzistenciale gjatë javëve të fundit pasi Izraeli akuzoi disa punonjës të saj për pjesëmarrje në sulmet terroriste të 7 tetorit.
Të paktën 16 vende, ndër to edhe vendi kryesor donator Shtetet e Bashkuara, kanë ndalur financimin e tyre për këtë agjenci. Anëtarët e akuzuar të stafit janë shkarkuar tashmë dhe OKB-ja po bën një hetim të brendshëm, ndërkohë që ka filluar edhe një hetim të pavarur të jashtëm të kryesuar nga ish-ministrja e jashtme franceze Catherine Colonna. Zyrtarët izraelitë, ndër ta edhe kryeministri Benjamin Netanyahu, kanë bërë thirrje për shpërbërjen e UNRWA-së. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, i ka dalë në mbrojtje agjencisë, duke thënë se asnjë agjenci tjetër nuk ka prani në Gazë, që të mund ta zëvendësonte praninë e UNRWA-së./VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co