Bota

25-vjet çlirim, e përjetshme mirënjohja kombëtare ndaj ShBA/NATO!

25 vjet clirim e perjetshme mirenjohja kombetare ndaj shba nato

































NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ piroahmetajkk

Pikërisht si sot, 25-vjet ose plot një çerek shekulli parë, nisi zbarkimi i trupave tokësore të NATO-s. Prandaj 12 Qershori 1999 mbetet përjetësisht i skalitur në memorien e historisë sonë kombëtare, si data zyrtare e çlirimit të Kosovës.

Paraprakisht dhe mbi të gjitha, si për çdo 12 Qershor, dëshiroj t’ju përcjell mbarë shqiptarëve, urimet më të përzemërta për 25 vjetorin e çlirimit nga pushtuesit sllav të gjysmës tjetër të kombit, Kosovës sonë martire.

Me këtë rast, na duhet ta përsërisim edhe më fortë që 12 Qershori 1999 është jo vetëm një datë e përuljes së mbarë shqiptarëve ndaj të rënëve/Dëshmorëve të Atdheut, por mbetet edhe një datë e nderimit ndaj luftëtarëve si dhe popullit të Kosovës për sakrificat për liri dhe pavarësi në shekuj.

25 vjet mbas çlirimit të Kosovës nga pushtimi Serb, shpresoj shumë që memorien institucionale dhe opinionin mbarëkombëtar do të mbetet përjetësisht e kthjellët si kristal, që: “çlirimi i Kosovës dhe realiteti i ri gjeopolitik, nuk erdhën brenda një date të vetme (12 Qershor 1999)”, pasi ashtu si edhe njihet gjerësisht dhe botërisht: “çlirimi nga pushtimi serb në 12 Qershor 1999, nuk u arrit vetëm nga luftërat, gjaku i derdhur, qëndresa si dhe sakrificat sublime në shekuj të popullit të Kosovës”!

Prandaj, për shkak të së vërtetave, shpresoj që ne si komb ta “pranojmë fisnikërisht” se kryesisht (sigurisht jo vetëm) falë ndërhyrjes së fuqisë ajrore të NATOs, Milosheviçi u imponua të nënshkruaj kapitullimin dhe tërheqjen e forcave pushtuese (ushtarake dhe policore) deri në kufijtë e përcaktuar nga rezoluta 1244, kufij që u shenjtëruan edhe në Flamurin e Republikës së Kosovës nga Sh.T. Presidenti Ibrahim Rugova.

Po ashtu shpresoj të mbetet përjetësisht e mirënjohur se, që para datës 12 Qershor, nga 24 Marsi historik deri në 10 Qershor 1999 (datë kur Sekretari i Përgjithshëm z. Solana, urdhëroi ndalimin e bombardimeve ndaj Serbisë); SHBA/UK dhe NATO u angazhuan për herë të parë në një fushatë ajrore ose në luftë “jashtë artikullit 5” (pa miratimin e KS/OKB), por ndërsa gjykata e legjitimoi, historia e rikonfirmoi NATO-n si: “Aleancën më të fuqishme ushtarake si dhe të besimit e lirisë, paqja dhe vlerat demokratike në mbarë botën”.

Së dyti, përtej definicioneve në doktrinat e luftës (mbi pushtimin & çlirimin), në vijim po paraqes fakte dhe konsideratë strategjike: “pse 12 Qershori 1999 është zyrtarizuar si data e çlirimit të Kosovës”?

Më 9 Qershor 1999 (pra 3 ditë para 12/ 06) në Kumanovë të MV ishte nënshkruar Marrëveshja Teknike Ushtarake ndërmjet palës fituese/NATO dhe palës humbëse/RFJ, marrëveshje që hyri në, hyri në fuqi më 11 Qershor 1999 duke legjitimuar ndërhyrjen me trupa tokësore ditën tjetër, 12 Qershor 1999. Me Marrëveshjen e Kumanovës, NATO ndalonte bombardimet ndërsa Serbia detyrohej të tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga territori i Kosovës. Pra, në Kumanovë përfaqësuesit e UÇKsë nuk ishin as palë nënshkruese, as prezente, ndërsa u vendos shndërrimi i UÇK-së në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Pra, më 12 Qershor 1999, NATO nisi zbarkimi i trupave të këmbësorisë në Kosovë, dy ditë më parë (10 Qershor) Këshilli i Sigurisë së OKB-Së, kishte miratuar Rezolutën e Anthisarit nr. 1244, sipas të cilës në Kosovë u legjitimua dërgimi i 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Thënë këto, ndërhyrja e NATO-s me trupa tokësore, konfirmoi vendosmërinë e perëndimit për të gjunjëzuar një kriminel lufte si Millosheviçi, si dhe me gjithë përpëlitjet e Ariut të plagosur/Rusisë, kjo ngjarje ndryshoi përjetësisht hartën gjeopolitike të rajonit, në favor Aleancës Euroatlantike si dhe të kombit shqiptar.

Së treti, pa mëdyshje, që edhe 25 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 26 muajt e luftës gjakatare në Ukrainë: “qëndrimet dhe veprimet e Beogradit Zyrtar, i gjej të sikronizuara me ëndrrat dhe interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Gjithsesi, Rusia – Putiniste ka dështuar për të ndezur një front të ri lufte në rajon, duke frymëzuar dhe armatosur grupet kriminale në veri të Kosovës si dhe ekstremistët e tipit Dodik, për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore/USA.

Pavarësisht kësaj, ndër aktorët, e brendshëm në krye qëndron presidenti serb Vuçiç, i cili pasi ka dështuar për të bërë viktimën apo për të pirë nga 4 nëna (Moskë, Washington, Bruksel, Pekin), së fundmi dalldisi se: “solidariteti i BE-së është një përrallë”, si dhe bëri thirrje për “miqësi prej çeliku” me Kinën! Po ashtu ka dështuar edhe trimërimi mbas lufte i ish- ministrit te Milosheviçit, Z. Vuèiæ mbi: “Kufijtë e rinj shtetëror në Ballkan apo (mos) njohjen e Kosovës”, kurrsesi nuk mundet ta trembin fuqinë e sprovuar të NATO-s, (p.sh 1999!) por vetëm minojnë dialogun dhe rrezikojnë agjendën e integrimit të Serbisë drejt BE.

Ndërsa, 15 vitet e fundit: “shqetësimet strategjike mbi armatosjen deri në dhëmbë dhe (keq) shpërdorimin e Beogradit nga Kremlini”, i kam adresuar si pyetje publike, ndaj z.Vuçiç dhe gjeneralëve të tij: “Përse shpenzon më shumë se 1 miliard € në vit për armatatosjen nga Rusia me Tanke; Mig-29, Helikopter luftimi, raketa Pantsir-S, etj ? Përse 3/4 e strukturave dhe fuqisë ushtarake ofensive i ka dislokuar në kufijtë shtetërorë të Kosovës (?); nga cili vend apo Aleancë rrezikohet tërësia territoriale e Serbisë (?/nga askush); apo integritetin e cilit vend sovran, përveçse të Kosovës kërcënon Serbia”?

Thënë këto, më duhet ta përsëris qartë, përfshi për gjeneralët dhe mendjet putiniste jo vetëm në Beograd: “për sa kohë të ketë prezencë të SHBA/NATO në terren, agresioni ushtarak kundër tërësisë territoriale të Kosovës, përveçse një aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur (zero)”!

Së katërti, me gjithë përpjekjet dhe progresin 25-vjeçar për t’u larguar nga urrejtja dhe gjakderdhja shekullore, paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe ardhmëria euroatlantike për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet ende konfuze si dhe një sfide serioze. Edhe në çerekshekullin e fundit: “Ambiciet geopolitike të Rusisë – Putiniste”; ushtarët e oshilacioneve të Milosheviçit në Beograd apo Dodikët e droguar nga Moska, jo vetëm kërcënojnë sovranitetin e Kosovës, por edhe stabilitetin dhe agjendën e integrimit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor (përfshi Serbinë), si dhe sfidojnë vlerat demokratike, fuqinë ushtarake, kohezionin dhe interesat e Aleancës Euroatlantike në rajon (USA/NATO/ UK/BE)”.

Gjithsesi, përkundër riciklimit të klimës/rrënjëve të konfliktit besoj edhe më fort se paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm, në mënyrë që siguria të perceptohet dhe konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, pronës, prosperitetit të qytetareve, interesave të shoqërive edhe në 6 vendet e Ballkanit ende të pa integruara në BE.

Nga ana tjetër, historia e mbas-konflikteve na ka mësuar, se marrëveshjet e Paqes nuk kanë për të funksionuar, pa shtruar themelet e mirëbesimit reciprok mes popujve. Krimea, është shembull i gjallë, ku arritjet nga Marrëveshja e Paqes-2014, po shpaguhen me gjakun e qytetarëve Ukrainas dhe Rusë.

Së pesti, fatkeqësisht për 25 vjet, të 2 palët ende nuk po i zgjidhën dot mosmarrëveshjet ndërshtetërore dhe ndërkufitare, Serbia dhe Kosova do të duhet të tregohen seriozë për të zhvilluar masat e mirëbesimit reciprok dhe bashkëjetesës paqësore mes popujve. Ne kapacitetin e ekspertit, në vijim gjeni përmbledhje me “5 rekomandime strategjike” për sigurinë afatgjatë dhe ardhmërinë Euroatlantike rajonit:

1. Beogradit zyrtar i duhet “t’i harrojë kërcënimet-neo-Staliniste” për valëvitjen e flamurit Serb në Kosovë si dhe riciklimin e fushatave të përgjakshme ndaj popullit Shqiptar. Për të mirën e Serbisë, të mos shpenzoj kot 1 miliard € në vit nga taksat/mundi i popullit serb, pasi ka zero, aftësi, ose këllqe të përballet me fuqinë ushtarake të USA/ NATO-s dhe FSK në Kosovë; të heqë dorë nga ëndrrat për “të pirë” nga 4 nëna (Moska, Brukseli, Washingtoni dhe Pekini). Ndërsa, z.Vuçiç të mos riciklojë oshilacionet e Milosheviçit dhe as të bëjë trimin tërbuar të Putinit duke kërcënuar Perëndimin (ose me Serbinë ose me Kosovën..!); por as viktimën dhe as të irrituarin, pasi, siç është konfirmuar nga ekspertët e Pentagonit edhe 246 raketat Javelin të miratuara nga DASH/SHBA për FSK, nuk janë kapacitete sulmuese, por për të ushtruar të drejtën sovrane të vetëmbrojtjes territoriale të Kosovës nga çdo armik potencial, që, në fakt, mbetet vetëm Serbia, apo jo?

2. Prishtina zyrtare, pa u konsultuar me partnerët strategjik/ShBA, kurrsesi nuk do duhej/t të marrë vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimtarët e vërtetë/USA, që prej 25 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë Euroatlantike të Kosovës”. Për më shumë, do t’i këshilloja vëllazërisht aktorët mëndjehapur të Prishtinës që: “çlirimi nga pushtuesit Serb në 1999 si dhe riciklimi i kërcënimeve ushtarake të Beogradit ndaj integritetit të Kosovës”, të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne”, përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin e Kosovës nga konsumatore në kontribuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

3. Ndërsa, partnerëve strategjikë, aktorëve dhe ekspertëve/kolegëve në rajon, Washington, Bruksel, etj. do t’i risugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e Rajonit, ta parakushtëzojnë me rikthimin e vetëm dy Masave të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Serbia “të imponohet” që: (A) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin territorial të Kosovës; (B) nuk do të vendosë instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve, dy kushte që gjithsesi duhen të monitorohen nga USA/NATO/BE, që mbeten faktor kritik për paqen në rajon.

4. Faktorët institucionalë në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare të lënë me mënjanë krenarinë primitivo-bolshevike, por të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore duke jetësuar një platformë strategjike: “2 shtete sovrane 1 komb i vetëm” si dhe konceptit “Smart/ mënçur” mbi sovranitetin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Sigurisht që: “ky projekt nuk ka kurrsesi lidhje me dalldisjen bolshevike që buron nga fuqia elektorale e mbipushtetit dhe as me pushtetarë kusarë që dridhen në SPAK; por as me pluralizmin fasadë dhe as me aguridhet 50 milioneshe € për KSF, të ishKryetarit edhe vulëhumbur (nga dje) si dhe një grushti egocentrikësh të sëmurë rreth tij”.

5. Përkundër: “vendimmarrjeve të pakonsultuara dhe kakofonisë internacionaliste”, Tirana dhe Prishtina zyrtare, e kanë përgjegjësi të lartë shtetërore të demonstrojë mirënjohje kombëtare ndaj ShBA/NATO/UK, ndërsa për projektin “2 shtete sovrane, 1komb i vetëm” duhet te garantojnë SHBA/NATO dhe BE se kjo “qasje e vonuar” nuk kërcënon, por do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit, përfshi Serbinë.

Në vend të përmbledhjes përsërisim që, 12 Qershori 1999 mbetet një datë për të na kujtuar ne si komb jo vetëm çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serb, një datë që meriton të skalitet edhe si data e mirënjohjes mbarëkombëtare ndaj USA/ NATO-s por si dhe dita e falënderimeve ndaj 36 vendeve si dhe emër për emër mbi 500 mijë ushtarakëve të KFOR-it, që për 25 vjet vijojnë të mbrojnë paqen në Kosovë dhe Rajon.

Ndërsa, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakderdhjes shekullore, besoj edhe më fort se 24 12 Qershori 1999 do të mbetet një kambanë alarmi për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të rajonit të Ballkanit Perëndimor: “Paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të sigurisë së jetës, pronës, mirëqenies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlantike të Shqipërisë, Kosovës, MV, Mal të Zi, Bonje-Hercegovinës dhe Serbisë”.

* Autori, Gjeneral ® Piro Ahmetaj: Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n, Zv/President i Këshillit Atlantikut; & ishKëshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD, Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA, Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

Similar Posts