Edhe këtë vit kryeqyteti i Polonisë, Varshava, do të mbajë më 1 gusht një minutë heshtje. Kur në orën 17:00 do të gjëmojnë sirenat e alarmit shumica e njerëzve, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike, do të ndalin dhe do të përkujtojnë fillimin e kryengritjes kundër pushtuesve gjermanë.
Kryengritja e Varshavës, e cila filloi më 1 gusht 1944 dhe përfundoi me dorëzim pas 63 ditë luftimesh të ashpra, konsiderohet si miti themelues i shtetit të pavarur kombëtar polak. Ajo simbolizon vullnetin për liri dhe shpirtin luftarak të polakëve kundër sundimit të huaj dhe totalitarizmit.
Pas Luftës së Dytë Botërore politikanët gjermanë ishin për një kohë të gjatë të padëshiruar për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore. Vetëm pas rënies së Perdes së Hekurt në vitin 1989, pati një ndryshim.
Presidenti i Polonisë Lech Walesa ftoi në vitin 1994 homologun e tij Roman Herzog në kryeqytetin polak. I ftuari nga Gjermania e ribashkuar jo vetëm do të ishte i pranishëm, por edhe do të mbante një fjalim – një vendim ky i guximshëm i ish-udhëheqësit të punëtorëve polakë.
Tani në festimet për 80-vjetorin e Kryengritjes së Varshavës kundër pushtuesve nazistë, merr pjesë presidenti Frank-Walter Steinmeier.
Presidentët kërkojnë falje
“Ne gjermanëve na mbush me turp fakti që emri i vendit dhe popullit tonë do të jetë përgjithmonë i lidhur me dhimbjen dhe vuajtjen që iu shkaktua Polonisë miliona herë”, tha Herzog në ceremoninë përkujtimore në Varshavë.
Ai u kërkoi falje të gjitha viktimave polake të luftës “për atë që iu bë atyre nga gjermanët”. 30 vjet pas fjalës së presidentit Herzog edhe presidenti aktual Frank-Walter Steinmeier i kërkoi popullit polak falje. “Nuk ka fjalë që mund të jenë të përshtatshme për të folur për këtë tmerr. Unë kërkoj sot falje këtu,” tha Steinmeier gjatë ceremonisë përkujtimore në sheshin Krasinski në kryeqytetin polak. Kryengritja e Varshavës ishte “një nga kapitujt më mizorë” të historisë gjermano-polake, tha ai.
Viktimat polake presin propozime konkrete
Që nga vizita e Herzogut para 30 vjetësh marrëdhëniet gjermano-polake kanë ndryshuar për mirë, pavarësisht disa pengesave. Dhe vizitat e politikanëve të lartë gjermanë në Varshavë më 1 gusht nuk janë më një ngjarje e jashtëzakonshme.
Por me gjithë afrimin mes Berlinit dhe Varshavës, pas ndryshimit të pushtetit në Poloni në vjeshtën e vitit 2023, çështja e dëmshpërblimit për viktimat e Rajhut të Tretë vazhdon të qëndrojë si shpata e Damokleut mbi marrëdhëniet mes dy shteteve. Të mbijetuarit e fundit polakë duan premtime konkrete financiare dhe jo një pranim të ri të fajit dhe kërkim faljeje./dw
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co