EMISIONI VETTING
Berberi “gjurmë” dhe te Unaza e Tiranës
Në 8 tetor 2021, kreu i ARRSH, Evis Berberi ka firmosur tenderin me vlerë 23 milionë euro për kompanitë ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së jashtme të Tiranës, Loti 7.
Pronarët në letra të dy kompanive fituese janë Arbër Abazi dhe Artan Sako. Arbër Abazi është nipi i ish deputetit të PS, Sadri Abazi. Artan Sako është vëllai i ish-kreut të Gardës, Gramoz Sako.
Për të mbikëqyrur punimet e ALKO-IMPEX dhe 2T, për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 7, Evis Berberi ka përzgjedhur në datën 10 nëntor 2021 si fituese e tenderit grupin e kompanive “NET-GROUP” dhe “ARABEL – STUDIO”.
Çfarë konstatoi KLSH për Berberin?
Në muajt maj dhe korrik të viti 2023 Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar dy raporte që ka zhvilluar brenda Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Nga analiza dhe kërkimet KLSH thotë se në ARRSH ka konstatuar zhdukje të dokumenteve të mbledhjeve të bordit drejtues, pagesa të dyshimta të anëtarëve të bordit, vendime pa rend dite, pa dokumentacion shpjegues dhe pa rezultat votimi etj.
Manovrat me tenderat apo ndryshimi i kontratave gjatë procesit të punës janë një tjetër problem që është ngritur nga KLSH.
Por, në auditim del se në Autoritetin e drejtuar nga Evis Berberi mbeten problem largimet nga puna pa kriter dhe të pajustifikuara nga ana administrative.
KLSH konstaton se “vlera totale prej 92,400 Euro të fituara nga punonjësit e larguar nga puna, deri në këtë shkallë të gjykimit, konsiderohet shpenzim pa ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet në buxhetin e shtetit e cila është në kundërshtim me Manualin e Operimit të Projektit” thuhet në raport.
Por këto janë vetëm një pjesë e shkeljeve në të cilat del emri i Berberit.
“Ndëshkimi” i Korridorit 8
Ajo që ka ndodhur me ndryshimet e herëpashershme të studimeve të projekteve, siç konstatonte KLSH, ka shtuar kostot edhe në ndryshimet të gjurmëve, fakt që ka dërguar në rritjen së çmimeve për disa segmente të Korridori 8. Ky është i vetmi projekt madhor që lidh detin Adriatik me Detin e Zi dhe që kalon mes vendeve të NATO-s, por që vazhdon të mbetet ende më shumë në letër për shkak të shumë problematikave që kanë hapur institucionet shqiptare, përfshi Autoritetin e Rrugor Shqiptar.
Në këtë situatë gjeopolitike të krijuar nga pushtimi rus ndaj Ukrainës, ky korridor do të ishte një zgjidhje e rëndësishme, pasi do të çimentonte rolin strategjik të Shqipërisë në sigurinë e Europës Juglindore, dhe do të plotësonte kontributin që japim me TAP në sigurinë energjetikë të Europës. Sipas ekspertit të ekonomisë, Eduart Gjokutaj, ka një arsye se përse këto projekte nuk arrijnë të finalizohen.
“ Në radhë të parë ata që janë përgjegjës direkt janë ministrie përkatëse Ministria e Infrastrukturës e cila nëpërmjet ARRSH bën gjithë termat e referencës dhe projektet dhe japin garancitë e nevojshme për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale. Në momentin që nuk arrihen të garantohen fondet në kohë sa është buxheti dhe sa do merren nga fondet e huaja dhe sa kredi nuk arrihet kuptohet se si do administrohen këtu kemi përgjegjësi edhe penale” u shpreh Gjokutaj.
Nisur që prej vitit 1994 ky aks investohet në segmente, në mënyrë anemike dhe më pas fiken dhe harrohen. Edhe pse kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës kohë pas kohe kanë dalë dhe e kanë përmendur këtë Korridor, por në vend të kilometrave të shtuara kanë mbetur vetëm shiritat.
BE dhe institucionet shqiptare
Pas interesimit të emisionit Vetting, pranë Zyrave të Bashkimit Evropian, zyrtarët europian konfirmuan se financimi për këtë projekt nuk ka ndaluar edhe pas kritikave për vonesat në proces.
Por pavarësisht kësaj mbështetje, Shqipëria vijon të krijojë hallkë pas hallke që shtyn pa fund përfundimin e këtij Korridori. Ajo që ka shtuar tashmë fondet është pikërisht ndryshimi i gjurmës së projektit fillestar.
Kështu autoritetet shqiptare kanë në projekt një tunel prej 3 kilometrash. Sipas ministres Balluku, kjo zgjidhje u arrit pas negociatave mes autoriteteve rrugore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si dhe ministrive përgjegjëse të Infrastrukturës.
Kjo ka zhvendosur në një trase krejt të re segmentin e fundit në territorin shqiptar, nga ura e Bushtricës në Qukës për të dalë afërsisht pranë grykës së quajtur “Shkalla e Skënderbeut” në kufi me Maqedoninë e Veriut, në gjatësi 10 kilometra.
Për këtë ndryshim autoriteti Rrugor tenderoi “Studim dhe projektim i aksit rrugor Bushtricë – Pika doganore, Korridori VIII” me një shumë prej 450 mijë eurosh në dispozicion. Por inxhinieri Nazarko thekson se devijimi është i panevojshëm dhe me kosto të lartë.
“Kanë filluar punimet, por me ritme të ngadalta po punohet me segmente të caktuara të Korridorit të 8 dhe një arsye është rruga qukës Qafë -Plloçë që shteti shqiptarë e sfumon në formën e vetë duke financuar lekët e buxhetit të shtetit dhe lekët e kredive që kanë marr për një rrugë panoramike e cila nuk është se do ta ndihmojë shumë lidhjen e Durrësit, Tiranës me qytetin e Korçës”
Por, sipas ekspertëve, akset nuk janë mbaruar në kohë për shaka se Buxheti i Shtetit ekspozohet më shumë nga sa duhet.
“ Mungesa e planifikimit të duhur dhe harmonizimit të fondeve dhe pjesë që dalin përtej asaj që ka planifikim përtej buxhetit të projekteve në kohë që është humbje për ekonominë dhe qytetarët” u shpreh Gjokutaj
Problemi, sipas ekspertëve, lidhet edhe me paaftësinë për të dhënë siguri ndërkombëtarëve për financime në tërësi.
“ Për sa kohë ti merr fondet e BE dhe i keqpërdor, i shpërdoron dhe Bashkimi Europian nuk ke gojë ti kërkosh” u shpreh Nazarko
Por a duhet të mbajë dikush përgjegjësi?
Eksperti i ekonomisë Eduart Gjokutaj u shpreh për Vetting se, institucionet janë ato që duhet të planifikojnë akset në bazë të fitimeve dhe zhvillimeve.
“E kemi investuar më shumë se 4 triliardë lekë në 25 vite dhe ende nuk ka përfunduar pjesa e atyre që janë nevoja të infrastrukturës” u shpreh Gjokutaj.
Ndërkaq, inxhinieri Nazarko sqaron se shteti nuk ka pse investon miliona euro në rrugë të dorës së dytë ndërkohë që paraja qëndron pas Korridorit të 8.
“ Duhet ta shfrytëzojmë duke i dhënë prioritet me të gjitha kapacitetet që pnimet të avancojnë” u shpreh Nazarko.
Ajo që bien ë sy është fakti se, ndërkohë që në Maqedoni ky projekt ka ecur më shpejt, në Shqipëri është ende në studim projekti.
Sipas ekspertit Arben Meçe, nuk ekziston kurajo të thuhet se ky Kotridor do finalizohet duke shpallur vetëm segmentime apo zgjerime të traseve.
“Ne duhet të kemi kurajon dhe të themi nuk po bëjmë zgjerime por me forcat tona po bëjmë koridorin 8” U shpreh Meçe
Ndërkaq fitimi i munguar që do të shpërndahej tek qytetarët është përllogaritur deri në 1 miliardë euro.
“Një fitim të munguar që kalon mbi 1 miliardë euro” u shpreh Gjokutaj.
Por, ekspertët nuk e fshehin se për këtë korridor nuk është vetëm çështje fondesh por vullneti. Ndikimi i shteteve fqinje u ka dhënë përparësi koridorit 10 ndërsa ana tjetër e ekspertëve sqarojnë se kjo rrugë me disa forma të ndryshme transporti ka mbëtur për faj të politikave të brendshme.
“Politika e dobët në vend ka bërë që ka fuqi për të ndërhyrë që ka të bëj me korrupsionin kemi rastet e AZHBR, rastet e fondeve të BE- së me rindërtimin të tërmetit” u shpreh Nazarko.
Rrugët “në rrugë”
Afati duhet të jetë operacionalizimi i segmentit para vitit 2030, dhe jo më vonë se 2040. Por, mes dërgimit të parave te ortakët dhe zgjedhjes së përfundimit të këtij Korridori, bastin deri më sot e ka fituar e para, duke i lënë segmentet të palidhur, me disa studime të paguara disa herë dhe më shumë pak metra reale asfalt në terren dhe asnjë trase treni ngjitur.
Kjo rrugë sipas ekspertëve nuk është thjeshtë një rrugë makinash, por në rrugë nga ku ekonomia shqiptare mund të kishte sot një fytyrë tjetër.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co