Nxënësit ekselentë të shkollës “Myslym Keta” zhvilluan një bashkëbisedim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Gjatë takimit në sallën e Këshillit Bashkiak, Veliaj iu përgjigj interesimit të të rinjve dhe të rejave në lidhje me zhvillimin e qytetit. Ai tha se ajo që po ndodh në Ukrainë duhet të shërbejë edhe si një moment reflektimi për ne në Shqipëri, për të kuptuar se nuk duhet ta pengojmë njëri-tjetrin.
“Një kolegu im, sot ministër i Presidentit Zelensky, në fillim të luftës ka menaxhuar çështjen e refugjatëve, e armëve dhe të ushqimeve në zonat e dyluftimit, dhe ajo që më tha më bëri përshtypje: ‘Ju s’keni ndonjë armik, për çfarë ziheni me njëri-tjetrin?’. Në fakt, duket shumë pyetje e thjeshtë, por shumë e rëndësishme. Na bën të reflektojmë se ne, në fakt, jemi armiqtë e vetes, ne nuk na pengon njeri. Pra, nuk është se është pushtuar gjysma e Shqipërisë dhe kjo po na ndalon të bëjmë shkollat e reja, të mbjellim pemë. Ne s’kemi asnjë armik dhe vitet e fundit ne i kemi prishur punë vetëm njëri-tjetrit”, theksoi ai.
Veliaj u kërkoi të rinjve që të bëhen mbështetës të një kulture të re emancipimi dhe të mbështetjes së njëri-tjetrit për të ecur përpara. “Sikur ne të mos ishim kundërshtarët e njëri-tjetrit – pra, një gocë të mos pengojë shoqen e saj të shkëlqejë në mjekësi; një nga çunat që kodon, s’duhet ta bëjë këtë se ka inat dikë tjetër, por se e ka pasion kodimin dhe teknologjinë e informacionit; dikush që po bën bamirësi, s’duhet sabotuar pse s’po e bën ti, përkundrazi, duhet të inkurajohesh që ta bësh edhe ti – nëse kjo do jetë fryma, nuk ka asgjë që e ndal këtë vend. Dua shumë që brezi juaj të jetë vërtet një flamurtar i kësaj kulture të re, i këtij emancipimi”, tha ai.
Kryebashkiaku u shpreh se Tirana, pavarësisht këtyre debateve të forta, ka mundur që të ketë ndryshime të rëndësishme, duke u kthyer dhe në një qendër të samiteve të rëndësishme.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co