Hendeku midis popullit dhe qeverisë është më i madh se kurrë në Iran, kjo u tregua në thirrjet për bojkotim dhe pjesëmarrjen e ulët në votime. Ndryshime nuk priten.
Për shkak të pjesëmarrjes së ulët në votime në Iran orari i hapjes së qendrave të votimit u zgjat deri në mesnatë. Rreth 61 milionë votues ishin thirrur për të zgjedhur jo vetëm parlamentin (Majles) e republikës islamike, por edhe të ashtuquajturin Këshill të Ekspertëve, një organ me ndikim, i cili më pas zgjedh liderin suprem.
Pjesëmarrja e ulët në votime ishte paralajmëruar edhe nga agjencia iraniane e lajmeve Azar Kalam, e cila citonte rezultatet e një sondazhi mbarëkombëtar të kryer nga një institut i afërt me qeverinë. Sipas rezultateve të hulumtimit, pjesëmarrja në mbarë vendin parashikohej me vetëm 30 për qind, kurse në kryeqytetin e vendit Teheran, pjesëmarrja ishte rreth 15 për qind.
Si arsye për mungesën e vullnetit për të shkuar në votime qytetarët përmendën paaftësinë e parlamentit, korrupsionin dhe mungesën e shpresës për një të ardhme më të mirë.
Agjencia shtetërore Irna bëri të ditur se për votimet u lejuan 15.200 kandidatë, të cilët luftojnë për 290 vende në parlament. Gazetari, Masjar Khosravi i tha agjencisë së lajmeve AFP se qeveria dëshiron të krijojë më shumë konkurrencë në nivel lokal duke lejuar kaq shumë kandidatë. “Numri më i madh i kandidatëve, mbi të gjitha në njësitë më të vogla, janë mjekë, inxhinierë, nëpunës dhe pedagogë që nuk i përkasin asnjë grupi politik”, tha ai.
Muzikë dhe festa si reklama për zgjedhjet
Fushata zgjedhore filloi më 22 shkurt. Në rrjetet sociale u postuan video nga mitingjet e ndryshme parazgjedhore, të shoqëruara me muzikë të lartë dhe atmosferë festive. Si zakonisht para zgjedhjeve, pjesëtarët e policisë së moralit nga radhët e milicisë Basij nuk dolën në pah.”Si një ushtar i zakonshëm që i shërben vetëm popullit, i bëj thirrje kombit iranian që t’i kuptojë këto zgjedhje si jashtëzakonisht të rëndësishme,” u tha gazetarëve komandanti i Gardës Revolucionare Hosein Salami. “Zgjedhjet nuk bëhen vetëm për të zgjedhur përfaqësues në një pjesë të caktuar të vendit. Efekti i tyre është global. Pjesëmarrja e madhe tregon se Irani mbështetet në votat dhe vullnetin e popullit në mes të vështirësive”, shtoi ai.
Duket se Salami, si të gjithë në qeverinë iraniane, e dinë shumë mirë se hendeku midis popullit dhe qeverisë është më i madh se kurrë. Pas shtypjes brutale të protestave që u zhvilluan në të gjithë vendin në vitin 2022 me sloganin “Gra, jetë, liri”, pothuajse askush nuk beson më në ndryshimet në sistemin politik.
Pse njerëzit nuk marrin pjesë në zgjedhje?
Profesori i sociologjisë në Universitetin Melardalen të Suedisë, Merdad Dervishpur thotë: “Sa më e suksesshme të jetë maja e Republikës Islamike në shtypjen e çdo opozite dhe konsolidimin e sistemit të patronazhit islam, aq më i vogël do të jetë ndikimi i Republikës në sistemin politik. Ndërkohë që sundimi islamik bëhet më i fortë.” Ai shpjegoi se në historinë e Republikës Islamike që nga viti 1979, ka pasur faza kur popullata besonte në reformat brenda sistemit dhe kur zgjedhjet u përdorën si formë proteste. “Qëllimi ishte shtypja e liderëve fetarë dhe forcimi i elementeve demokratike. Megjithatë, rezultatet nuk çuan kurrë në reforma reale, pasi sistemi nuk ndoqi vullnetin e shoqërisë”, tha Dervishpour.
Me kalimin e kohës, sistemi politik në Iran u bë gjithnjë e më radikal. Hapësira për kritika po zvogëlohej. Para zgjedhjeve të marsit, disa kandidatë kritikë ndaj qeverisë u përjashtuan nga lista e kandidatëve. Madje, organet zgjedhore përjashtuan disa ish-deputetë për shkak të mungesës së kualifikimeve ideologjike.
Edhe para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, shumë kandidatë të prirur për reforma dhe moderim u refuzuan. Sipas të dhënave të politikanëve reformistë, nga radhët e tyre u lejuan të dalin në listë 20 deri në 30 kandidatë. Këto zgjedhje pritet të konsolidojnë qeverinë konservatore.
Instrument për konsolidimin e sundimit
Ali Afshari, një ish-udhëheqës studentor iranian që tani jeton në mërgim në SHBA, thotë se “zgjedhjet në Republikën Islamike nuk i shërbejnë mundësisë së ndryshimit politik dhe shoqëror apo ndryshimit të qeverisë, që do të mbështetej në vullnetin e shumicës dhe do të ruheshin të drejtat themelore të pakicave”. Zgjedhjet në Iran janë një instrument për konsolidimin e sundimit të paligjshëm të pakicës dhe ruajtjen e sistemit të shpërndarjes së padrejtë të burimeve – është një lojë pushteti dhe pasurie”.
Mbi 275 aktivistë të njohur dhe përfaqësues të shoqërisë civile në Iran shpallën bojkotimin e zgjedhjeve. Ata vunë në dukje gjendjen e “mjerë” të sistemit zgjedhor dhe dënuan “stagnimin e reformave” si dhe “eliminimin e plotë të kritikave” apo “përjashtimin e kandidatëve”. Nënshkruesit e deklaratës së përbashkët të 25 shkurtit paralajmëruan se të gjithë këta faktorë së bashku me mungesën e zërave të ndryshëm politikë cenojnë legjitimitetin e zgjedhjeve.
Bojkotit iu bashkua edhe fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohamadi, e cila ndodhet në burg. “Unë jam në anën e popullatës dhe po i bojkotoj këto zgjedhje të rreme, për të theksuar jolegjitimitetin e Republikës Islamike dhe hendekun mes regjimit represiv, autoritar dhe popullit”, tha Mohamadi në një deklaratë nga burgu./DW
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co