Analiza/ Si mund të ndihmojë SHBA, Gazën me ndihma dhe pse operacioni është i ndërlikuar

analiza si mund te ndihmoje shba gazen me ndihma dhe pse operacioni eshte i nderlikuar
analiza si mund te ndihmoje shba gazen me ndihma dhe pse operacioni eshte i nderlikuar

Shtetet e Bashkuara kanë nisur të hedhin të shtunën ndihma urgjente humanitare në Gazë, prej ajrit. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja është duke shqyrtuar edhe mënyra tjera për t’iu ndihmuar palestinezëve në territorin e udhëhequr prej Hamasit, teksa vazhdon lufta e grupit me Izraelin.

Hamasi është shpallur grup terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Kur kanë nisur të lëshohen ndihmat? Tre aeroplanë për mallra C-130 kanë lëshuar pako me 38.000 shujta në Gazë, në pasditen e së shtunës. Ndihmat janë hedhur në jugperëndim të Gazës, rreth zonës bregdetare, ka thënë një zyrtar amerikan. Operacioni është koordinuar me forcën ajrore të Jordanisë, e cila ka nisur ditë më parë të dërgojë ndihma në Gazë në të njëjtën mënyrë.

Pse tani?
Vendimi i Bidenit është marrë pasi të paktën 115 palestinezë janë vrarë dhe mbi 750 të tjerë janë plagosur të enjten, derisa kanë tentuar të marrin ndihmë në veri të Gazës, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Dëshmitarët kanë thënë se ushtria izraelite ka shtënë me armë zjarri në drejtim të turmës, duke e konsideruar si rrezik. SHBA-ja i ka kërkuar disa herë Izraelit që të dërgojë ndihmë humanitare në Gazë dhe të hapë pikën e tretë kufitare në këtë rajon, mirëpo dhuna e së enjten tregon se sfidat janë të mëdha, pavarësisht rrethanave të krijuara.

“Humbja e jetëve është zemërthyese”, ka thënë Biden, teksa ka bërë të ditur nisjen e ndihmave. “Njerëzit atje janë aq të dëshpëruar”.

Si do të sigurohet SHBA-ja që ndihma të arrijë aty ku duhet?
I pyetur se si do të sigurohet SHBA-ja që furnizimet të mos jenë në duart e Hamasit, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja do të mësojë më shumë përgjatë operacioneve ajrore. “Janë vetëm pak operacione tjera ushtarake që janë më të komplikuara sesa hedhja e ndihmës humanitare prej ajrit”, ka thënë ai. Sipas tij, Pentagoni do t’i identifikojë zonat ku do të lëshohen ndihmat për të balancuar situatën në të gjitha rajonet. “Rreziku më i madh është derisa të sigurohemi që askush nuk do të lëndohet në terren”, ka thënë Kirby.

Ai ka thënë se SHBA-ja është duke analizuar edhe mënyra për shpërndarjen e ndihmave, kur ato të prekin tokën.

A do të vërehet ndihma?
SHBA-ja beson se ndihma do t’iu ndihmojë banorëve të Gazës, mirëpo ajo nuk është zëvendësim i kamionëve, të cilat mund të bartin ndihmën në mënyrë shumë më efektive. Kirby ka thënë se përparësia e ndihmës prej ajrit është se ndihma mund të arrijë një lokacion shumë shpejt. Mirëpo, kur është fjala për sasinë, nuk mund të krahasohet me ndihmën që bartin kamionët.

A mund të bëhet më shumë?
SHBA-ja dhe aleatët janë duke tentuar të arrijnë një armëpushim të ri në mes të Hamasit dhe Izraelit, që do të mundësonte lirimin e pengjeve të mbajtura prej Hamasit në Gazë, dhe lirimin e disa palestinezëve prej burgjeve izraelite përgjatë gjashtë javëve të pauzës. Nëse arrihet armëpushimi, SHBA-ja shpreson se do të krijoheshin rrethanat që një sasi shumë e madhe e ndihmës të hynte në Gazë. Biden ka thënë të premten se SHBA-ja është duke punuar me aleatët për krijim të një korridori detar që mundëson dërgimin e ndihmës në Gazë përmes detit./Rel

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →