Protestuesit e zemëruar me konfliktin ndërmjet Izraelit dhe Hamasit kanë vërshuar rrugët në Shtetet e Bashkuara dhe disa prej tyre po ndërhyjnë në paraqitjet e Presidentit Biden gjatë fushatës së tij zgjedhore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Anita Powell ofron një vështrim se si po manifestohet kjo luftë në fushatën zgjedhore në Amerikë.
Konflikti i zjarrtë në Gazë ka ndezur një shkëndijë tek një numër votuesish amerikanë që po krijojnë tension tek fushata e Presidentit Joe Biden për t’u rizgjedhur në Shtëpinë e Bardhë.
Ky tubim, duhet të ishte një tubim për të drejtën për abort. Por shumica e fjalimit të zotit Biden të martën u ndërpre nga protestuesit e zemëruar me përkrahjen që presidenti i ka dhënë fushatës ushtarake të Izraelit, cka e shqetësoi atë dukshëm.
Kjo protestë u organizua nga grupi “Die-In for Humanity” (“Të vdesësh për Njerëzimin), që ka 700 anëtarë dhe që është shfaqur gati 100 herë në aktivitetet e zotit Biden në Kapitol, para shtëpive të zyrtarëve të administratës si dhe në këtë protestë që u mbajt në janar në Uashington.
“Po shohim një ndryshim në qëndrim, në Shtetet e Bashkuara që në thelb është refuzim i plotë i Bidenit. Po i themi se nuk do ta ketë votën e komunitetit arabo-amerikan ndërkohë që vazhdimisht injoron zërat e komunitetit arabo-amerikan që po i bëjnë thirrje të ndalë padrejtësitë dhe krimet në Gazë.”
Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se Presidenti mbështet protestat paqësore: “Ai (Biden) gjithashtu beson se është shumë e rëndësishme që Izraeli të ketë të drejtën dhe mundësinë të vazhdojë të mbrohet kundër Hamasit, që qartazi vazhdon të jetë një kërcënim serioz. Por kjo nuk do të thotë se do të ndalemi t’i nxisim sërish homologët tonë izraelitë të minimizojnë viktimat civile dhe të lejojnë depërtimin e ndihmës.”
Analistët politikë thonë se zoti Biden është në një pozitë të vështirë.
“Nuk ka dyshim që situata në Gazë është problem politik për Bidenin. Nëse e shikon e me objektivitet, Biden e ka menaxhuar këtë çështje me mjeshtëri, për aq sa mundet çdo president. Ai e ka kuptuar që në fillim se duke e mbështetur Netanyahun, do të mund t’i frenojë disa nga gjërat më të këqija që të ndodhnin në Gazë. Por tani ai është afruar aq shumë pranë tij, sa e ka të pamundur ta largojë. Dhe kjo nënkupton që veprimi i parë, që ka tjetërsuar shumë votues – jo vetëm votuesit arabo-amerikan, por edhe të rinjtë me qëndrime progresive – mund të ketë ndikim më negativ për të, sepse nëse ai e largon apo mënjanon Bibi Netanyahun, atëherë disa nga përkrahësit e tij më të fuqishëm, përkrahësit pro-Izraelit, mund të jenë po ashtu të pakënaqur.”
Politika e jashtme, sipas analistëve, rrallë është çështja që përcakton zgjedhjet, por mund të bëjë ndryshimin nëse gara është e ngushtë. Ky votues i papërcaktuar në Nju Hempshër, që mori pjesë në zgjedhjet paraprake në këtë shtet ku zoti Biden dhe kandidati republikan Donald Trump fituan në garat partiake, tha se vendimi i tij do të përcaktohet nga vetëm një gjë.
“Çështja kryesore për të cilën do të votoj në këto zgjedhjesh është politika e jashtme. Është shumë e rëndësishme për mua që të qëndrojmë larg luftërave të huaja dhe t’i ulim shpenzimet ushtarake, t’i kthejmë forcat tona në shtëpi dhe t’i mbajmë këtu.”
Plani i zotit Trump për ta zgjidhur krizën në Gazë është i paqartë dhe veprimet e tij të mëparshme si president, përfshijnë “ndalimin” shumë të kritikuar, të imigrantëve myslimanë. Zëri i Amerikës ka provuar disa herë të kontaktojë zyrtarët e fushatës së zotit Trump, por ata nuk janë përgjigjur.
Për aktivistët myslimanë, zgjedhja është e vështirë.
“Zoti Trump nuk i la miqtë dhe familjarët tanë të hyjnë në vend. Por zoti Biden i vrau ata. Dhe ato katër vite nën nje administrate republikane nuk krahasohet me një ditë në Gazë, ky është argumenti që qarkullon tek komunitetet tona, që duhet të sakrifikojmë”.
Kjo situatë u lë votuesve amerikanë dy mjete për t’u shprehur atë qe ndjejnë: zërin e tyre dhe në nëntor, votën./ VOA
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co