Janë luajtur sot ndeshjet e dyta të turneut “UEFA Development” U16 për djem. Ky turne zhvillohet në vendin tonë nën organzimin e FSHF-së dhe marrin pjesë Kombëtaret e Shqipërisë, Kosovës, San Marinos dhe Belizes.
Shqipëria U-16 luajti sfidën e dytë në turneun “UEFA Development” ndaj Kosovës U-16. Koha e rregullt e këtij takimi përfundoi 2-2 dhe nga penalltitë u treguan më të saktë dardanët që triumfuan me rezultatin 3-2. Kosova shënoi dy gola, ndërsa Shqipëria në minutat e fundit barazoi ndeshjen me Amer Kthupin dhe Leon Darius Myrtajn.
Trajneri Ardi Behari hodhi në fushë këtë formacion titullar: Daniel Culi (GK), Darli Kurti, Kris Gecaj (C), Fabian Nuhaj, Milan Kovaci, Alex Ramku, Ernesto Marqeshi, Serxho Vogli, Emiljano Mihana, Jordan Luan Kinnavong, Flavio Shkëmbi.
Ndeshja nisi mjaft mirë për dardanët që zhbllokuan takimin në minutën e 12-të. Shqipëria u mundua të reagonte dhe kishte disa mundësi të mira por pa sukses.
Pjesa e parë u mbyll 1-0 në favor të dardanëve, ndërsa fraksioni i dytë nisi me dy ndryshime te kuqezinjtë. Në fushën e lojës u aktivizuan Agon Bajrami dhe Leon Darius Myrtaj.
Kosova gjeti sërish rrugën e rrjetës dhe dyfishoi rezultatin në minutën e 52-të. Në anën tjetër Shqipëria pas disa minutave shumë të mira ngushtoi diferencën në të 85-ën.
Protagonisti kryesor ishte Leon Darius Myrtaj i cili avancoi brenda zonës dhe shërbeu saktë për Amer Kthupin që e dërgoi topin në rrjetë. Sërish Leon Darius Myrtaj u shfaq rrezikshëm në zonën kundërshtare dhe fitoi një 11 metërsh që e shndërroi vetë në gol duke barazuar sfidën.
Në fund takimi përfundoi në barazim me rezultatin 2-2 dhe fituesi u vendos nga penalltitë. Dardanët u treguan më të saktë dhe triumfuan me rezultatin 3-2.
Po sot në “Shtëpinë e Futbollit” u luajt takimi Belize-San Marino. Koha e rregullt e këtij takimi përfundoi në barazim me rezultatin 1-1. Nga gjuajtjet e penalltive fitoi Belize me rezultatin 4-2.
Ndeshjet e fundit të turneu “UEFA Development U-16” do të luhen më datë 7 mars. Sfida e parë në “Shtëpinë e Futbollit” do të jetë Kosovë-Belize në orën 11:30, ndërsa Shqipëri-San Marino do të luhet në orën 14:30.
Më poshtë edhe kalendari i turneut dhe rezultatet:
Ndeshjet e para (2 mars)
San Marino-Kosovë 2-2 P(5-6)
Shqipëri-Belize 9-0
Ndeshjet e dyta (4mars)
Belize-San Marino 1-1 P(4-2)
Shqipëri-Kosovë 2-2 P(2-3)
Ndeshjet e treta (7 mars)
Kosovë-Belize Shtëpia e Futbollit, ora 11:30
Shqipëri-San Marino Shtëpia e Futbollit, ora 14:30
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co