Rebelët jemenas të Huthit thanë se kanë sulmuar një bazë mobile të Marinës amerikane më 29 janar, pa dhënë asnjë dëshmi. Megjithatë, ky pretendim i Huthëve është hedhur poshtë menjëherë nga një zyrtar amerikan i mbrojtjes.
Huthët pretenduan se kanë sulmuar USS Lewis B. Puller, që shërben si një bazë lundruese për ushtrinë amerikane. Kjo luftanije më herët ishte stacionuar në Detin Arabik, si pjesë e përpjekjeve amerikane për të frenuar sulmet e Huthëve ndaj anijeve tregtare që kalojnë përmes Detit të Kuq dhe Gjirit të Adenit.
Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, tha përmes një deklarate se rebelët gjuajtën raketa drejt anijes Puller në Gjirin e Adenit. Megjithatë, ai nuk ofroi dëshmi për të mbështetur këtë pretendim.
Sulmet e Huthëve do të vazhdojnë “derisa të ndalet agresioni dhe të hiqet rrethimi ndaj popullit të Palestinës në Rripin e Gazës”, tha Saree përmes deklaratës.
Një zyrtar amerikan i mbrojtjes, që foli në kushte anonimiteti lidhur me çështjet e inteligjencës, tha se nuk ka pasur raportim për ndonjë sulm ndaj luftanijes Puller. Megjithatë, rebelët e Huthit më herët kishin gjuajtur raketa që nuk kishin arritur cakun e synuar dhe raketat kishin rënë në det apo tokë.
Luftanija Puller ka shërbyer si bazë mobile për pjesëtarët e Marinës së SHBA-së që kryen operacionin e 11 janarit për konfiskimin e raketave balistike të prodhimit iranian dhe komponentëve të raketave që besohej se ishin të destinuara për Jemen. Dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane u zhdukën gjatë sulmit dhe ata besohet se kanë vdekur.
Që nga nëntori, rebelët jemenas vazhdimisht kanë sulmuar anijet në Detin e Kuq lidhur me ofensivën e Izraelit në Gazë kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian. Por, ata gjithnjë e më shumë po sulmojnë anije që nuk kanë lidhje të qarta me Izraelin, duke shkaktuar pengesa në rrugën kyçe për tregtinë globale midis Azisë, Lindjes së Mesme dhe Evropës./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co