Joe Biden mban fjalimin për gjendjen e vendit në një javë të rëndësishme politike. Ja sfida me të cilën përballet Presidenti i SHBA

joe biden mban fjalimin per gjendjen e vendit ne nje jave te rendesishme politike ja sfida me te cilen perballet presidenti i shba
joe biden mban fjalimin per gjendjen e vendit ne nje jave te rendesishme politike ja sfida me te cilen perballet presidenti i shba

Fjalimi i Presidentit Biden këtë vit do të jetë një mundësi për të shpalosur vizionin e tij gjithpërfshirës dhe përparësitë në agjendën e tij politike për zgjedhjet presidenciale, që mbahen në nëntor.

Sipas analistit Kyle Kondik nga Qendra për Politikë në Universitetin e Virxhinias, “fjalimi mbi gjendjen e vendit është ngjarje shumë e rëndësishme.”

“Ai ndiqet më shumë nga ata që e mbështesin Presidentin sesa nga kundërshtarët e tij, por amerikanët e të gjitha pikëpamjeve e ndjekin fjalimin apo pasqyrimin e tij në media, prandaj zoti Biden do të përpiqet me këtë fjalim t’u përgjigjet shqetësimeve rreth moshës së tij,” thotë ai.

Për shumë njerëz, fjalimi mbi gjendjen e vendit ka të bëjë më shumë me stilin se përmbajtjen.

“Në këtë rast, njerëzit më shumë do të shikojnë se sa të dëgjojnë. Si duket zoti Biden? A do të jetë në gjendje të ngjitet në skenë dhe të ecë pa vështirësi?” thotë analisti Tevi Troy nga Qendra për Politikë bashkëpartiake.

Një anketë e realizuar së fundi nga agjencia e lajmeve The Associated Press dhe Qendra për Hulumtimin e Çështjeve Publike NORC tregon se bëhet fjalë për një garë të ngushtë zgjedhore, gjatë të cilës çështjet si mosha dhe mprehtësia mendore mund të jenë çështje më të rëndësishme se në çfarëdo gare tjetër politike të kohërave moderne.

Sipas anketës, një pjesë e rëndësishme e votuesve amerikanë kanë dyshime për aftësitë mendore të Presidentit 81 vjeçar Biden dhe ish Presidentit 77 vjeçar Trump.

Rreth 63 për qind e të anketuarve thonë se nuk kanë besim në aftësitë mendore të zotit Biden për të shërbyer si president, gjë që pritet të shndërrojë fjalimin e tij për gjendjen e vendit në një audicion në kohë reale për një mandat të dytë. Një përqindje e ngjashme, ndonëse pak më e ulët, konsiderojnë se zotit Trump i mungon kujtesa dhe mprehtësia që e kërkon pozita.

Zoti Biden përballet edhe me një sfidë të ndërlikuar në planin ekonomik: Edhe pse ekonomika amerikane po forcohet, njerëzit ende janë tejet të pakënaqur. Anketuesit dhe ekonomistët thonë se kurrë nuk ka pasur një hendek kaq të madh ndërmjet gjendjes ekonomike dhe përshtypjes publike.

“Biden dhe ekipi i tij po thonë vazhdimisht se po e përmirësojmë gjendjen, por amerikanët jo domosdoshmërisht po e ndjejnë këtë. Çfarë kanë realizuar dhe si e kanë përmirësuar jetën e një amerikani të zakonshëm?” thotë zoto Troy.

Ky dallim mund të jetë faktor vendimtar për zotin Biden që të sigurojë një mandat të dytë. Republikanët po shfrytëzojnë këtë pakënaqësi për të kritikuar zotin Biden, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë nuk po arrin të theksojë përparimin ekonomik.

Një çështje tjetër që ka rëndësi qendrore në këto zgjedhje presidenciale është edhe emigracioni, ndërkohë që dy kandidatët po mundohen të përdorin problemet rreth kufirit për të thelluar avantazhin politik.

Zakonisht, fjalimi mbi gjendjen e vendit shtjellon çështjet e brendshme krahas shqetësimeve kryesore të politikës së jashtme të Presidentit.

Por ky vit, sipas drejtorit për hulumtime të politikës së jashtme pranë Institutit Brookings, Michael O’Hanlon, është shumë më ndryshe.

“Nuk është një fjalim për gjendjen në vend ku thua diçka për secilin vetëm sa për të luajtur rolin e psikologut të tyre apo udhëheqësit frymëzues. Në fakt duhet t’u tregosh njerëzve se si do t’i fitosh zgjedhjet në Amerikë dhe se si do të përpiqesh ta bindësh Kongresin që të miratojë ndihmën për Ukrainën dhe Tajvanin dhe t’i përgjigjesh pyetjes se si do të ndihmosh Izraelin, duke bërë thirrje njëkohësisht për përmbajtje. Prandaj të gjitha këto pyetje janë të lidhura me vendimet politike në Shtetet e Bashkuara, dhe roli i publikut të huaj është interesant të ndiqet por praktikisht jo thelbësor për këtë fjalim. Ky fjalim duhet të jetë pika e suksesit në kontekstin e politikës amerikane,” thotë zoti O’Hanlon.

Vitin e kaluar zoti Biden mbajti fjalimin për gjendjen në vend para një Kongresi të përçarë. Disa ligjvënës republikanë e ndërprenë atë ose hodhën batuta, në veçanti kur ai veçoi përpjekjet e disa ligjvënësve republikanë për të ndërprerë programin e sigurimeve shëndetësore dhe pensioneve.

Megjithatë analistët konsiderojnë se zoti Biden, i cili ka një përvojë të gjatë në politikë, nuk do të gjykohet shumë ashpër për fjalimin mbi gjendjen e vendit, por nëse ngatërrohet gjatë tij, atëherë vëmendja do të përqëndrohet aty./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →