8 Marsi/ Ikonat e lëvizjes emancipuese të gruas në Gjermani

8 marsi ikonat e levizjes emancipuese te gruas ne gjermani
8 marsi ikonat e levizjes emancipuese te gruas ne gjermani

Luftëtaret e të drejtave të grave në Gjermani, nuk kanë qenë aq radikale sa “motrat” e tyre në Angli, të cilat nuk trembeshin as nga ushtrimi i dhunës. Megjithatë edhe ato kanë luftuar me guxim për të drejtat e tyre.

Në fund të shekullit të 18-të gratë në Europë filluan të kërkonin gjithnjë e më shumë të drejta. Që në atë kohë ato filluan të merrnin pjesë në aksione revolucionare, sidomos në Francë ku pas revolucionit të 1789-ës, u përgatit mjedisi për të drejtat e njeriut, pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe të drejtat e barabarta. Në Gjermani, kaloi një gjysmë shekulli deri sa një numër i konsiderueshëm grash u politizuan dhe filluan të artikulonin kërkesat e tyre.

Udhërrëfyesja

Në vitin 1843 në publik u shfaq një grua me emrin Louise Otto-Peters, e cila e thoshte hapur mendimin e saj. Doktrina e saj ishte që pjesëmarrja e grave në interes të shtetit “është jo vetëm e drejtë, por është edhe detyrë”.

24 vjeçarja Luise Otto-Peters kishte mbetur jetime në moshën 16 vjeçare, dhe si adoleshente u mor vetë me punët e saj. Mbas vdekjes së prindërve ajo kishte trashëguar një pasuri të madhe. Ajo realizoi ëndrrën e saj për t‘u bërë shkrimtare dhe shkruajti poezi, ese, romane social-kritike dhe artikuj gazetareskë. Këto të fundit ajo i publikoi me pseudonimin Otto Stern. Ajo i ra në sy qeverisë, e cila u mundua t’i mbyllte gojën. Por Louise nuk u nënshtrua dhe themeloi në vitin 1865 “Shoqatën e Lajpcigut për arsimimin e grave”.

Në të njëjtin vit në Lajpcig u zhvillua një konferencë e madhe grash. Gazetat shkruajtën me përçmim për “Betejën e grave të Lajpcigut”, por 120 pjesëmarrëset nuk i kushtuan rëndësi këtij fakti. Ato themeluan Shoqatën e përgjithshme të grave gjermane (ADF), kryetare e të cilës qëndroi për 30 vjet rresht, Louise Otto-Peters. Një nismë fillestare që u shoqërua me krijimin e shoqatave të grave në të gjithë Gjermaninë.

Arsim shkollor për vajzat

Synimi kryesor dhe më i rëndësishëm ishte shkollimi i grave dhe vajzave. Ndërkohë që shkollimi përkatës i djemve ishte gjë krejt normale, vajzat nga shtresa punëtore duhet të fillonin punën në moshë të re për të fituar para, kurse vajzat nga familjet borgjeze duhet të përgatiteshin për jetën bashkëshortore. Vajzat që dinin të shkruanin dhe të lexonin ishin me fat. Mësuesja Helene Lange e mori në dorë këtë problem dhe i drejtoi një lutje ministrisë prusiane të shkollave. Ajo kërkonte përmirësimin e shkollimit të vajzave, rritjen e ndikimit të mësueseve në edukimin e nxënëseve, përmirësimin e arsimimit të mësueseve. Por luftëtareve të të drejtave të grave iu desh të prisnin gjatë. Në fund në vitet 1899 dhe 1900 u arrit të lejohej pjesëmarrja e grave në universitetet gjermane. Dhe më 1908 sistemi i shkollimit të vajzave u vu nën përgjegjësinë e shtetit.
Rritet vetëdija politike

E reja Clara Eißner shkonte në një seminar për mësueset në Lajpcig kur mësoi për themelimin e Shoqatës së përgjithshme të grave gjermane dhe filloi të angazhohej në shoqatë. Në atë kohë vlerësohej si skandaloze fakti që ajo jetonte me rusin Ossip Zetkin, pa qenë e martuar me të, mori mbiemrin e tij dhe lindi me të dy djem. Duke qenë edukatore ajo hyri në Partinë socialiste të punës, partinë që më vonë u kthye në Partinë Socialdemokrate dhe filloi të luftonte për të drejtat e barabarta të grave si në profesion, ashtu edhe në shoqëri. Ajo themeloi revistën e gruas “Barazia”. Clara Eißner – Zetkin është përfaqësuese e lëvizjes proletare të grave, dhe ndryshe nga lëvizja borgjeze e grave, në këtë lëvizje kishim të bënim kryesisht me të drejtat e grave punëtore.

Me nismën e marrë më 1910 për një ditë ndërkombëtare të grave, ajo inicioi një ditë për luftën e barazisë së grave, demokracinë, paqen dhe socializmin. Kjo ditë filloi të festohet për herë të parë në vitin 1911. Nën moton “Jepini grave të drejtën e votës!”

E drejta për të marrë pjesë në politikë

Bashkëluftëtare që kërkonin të drejtën e votës për gratë në Gjermani ishin edhe Anita Augspurg dhe partnerja me të cilën bashkëjetonte, Lida Gustava Heymann. Ato kishin themeluar në vitin 1902 shoqatën gjermane “Për të drejtën e grave për të votuar”. Augspurg dhe Heymann ishin më pak paqedashëse se sa “motrat” e tjera gjermane. Ato kërkonin t’i fitonin të drejtat e tyre duke përdorur të njëjtat mjete brutale që përdornin Suffragetten në Angli, që i shoqëruam kërkesat e tyre duke ushtruar presion me grevë urie, vandalizëm dhe demostrata të mëdha.

Augspurg studionte juridik në Zvicër, gjë që ishte e paimagjinueshme në Gjermaninë e shekullit të 19-të. Ajo mori doktoraturën dhe kishte kështu njohuritë e duhura juridike për të luftuar për reforma në parlamentin gjerman.

Lufta dha frute
Ndërkohë filluan bashkëpunimet me shoqata në vendet e tjera europiane, lëvizja e suffragetteve në Angli ishte forcuar aq shumë, saqë askush nuk mund ta anashkalonte. Ndërkohë që gratë në Hollandë dhe Skandinavi kishin vite që lejoheshin të votonin, gratë në Gjermani, Austri, Poloni dhe Angli pritën deri në vitin 1918 për të marrë të drejtën e votës, në vende të tjera pritën edhe më shumë.

Më 30 nëntor 1918, gati tri javë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, qeveria e re gjermane “e Rajhut”, njoftoi: “Të gjitha zgjedhjet për institucionet publike duhen zhvilluar sipas së drejtës së përgjithshme, të barabartë, të fshehtë, dhe direkte të votës, në bazë të sistemit proporcional të votimit të të gjithë personave mashkullorë dhe femërorë të moshës mbi 20 vjeç.”

Ky ligj i ri u zbatua për herë të parë pak më vonë, në janar 1919./DW

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →