Ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh se ka ardhur koha që të investohemi në burimet e duhura njerëzore, sa i përket shërbimit zjarrfikës për shkak të tipareve të veçanta që ka ky shërbim për sigurinë në vend.
Ai nënvizoi se duhet ndryshuar mënyra e përzgjedhjes të punonjësve të shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit. “Kam besimin – tha Balla – se kryetarët e bashkive e kuptojnë që vendi i punës së punonjësit të zjarrfikësit nuk është një vend për të bërë qokë!”
Duke folur rreth procesit të vlerësimit dhe certifikimit të punonjësve të shërbimit zjarrfikës, ministri Balla the se “do të vazhdojmë të plotësojmë strukturat operacionale, me një proces ku kemi përfshirë dhe Akademinë e Sigurisë, në trajnimin, por dhe certifikimin e të gjitha niveleve në shërbimin zjarrfikës, ku marrja e gradës nuk mund të jetë më një vlerësim fiktiv, por duhet të jetë një vlerësim objektiv i performancës dhe natyrshëm i eksperiencës së fituar në këtë shërbim”.
Deklaratat, ministri i bëri gjatë ceremonisë së dorëzimit të disa mjeteve zjarrfikëse, dhuruar nga Qeveria Polake, për 3 bashkitë Lezhë, Fier e Pogradec. Në kuadër të programit “Forcimi i kapaciteteve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të Shqipërisë”, të financuar nga Qeveria e Polonisë, zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), në bashkëpunim me DPMZSh në Ministrinë e Brendshme, përfituan 10 bashki në të gjithë vendin.
Fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Taulant Balla në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve për shërbimin zjarrfikës, dhuratë nga qeveria e Polonisë:
Shumë faleminderit zonja Ambasadore e Polonisë!
Faleminderit Përfaqësueses së Përhershme të UNDP në Shqipëri, dhe po ashtu, edhe drejtueses së Zyrës së OSBE, për vëmendjen e përhershme që i kushton shërbimit zjarrfikës.
Dua të falënderoj edhe tre kryetarët e bashkive përfituese të këtij projekti kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fierit dhe Pogradecit dhe të gjithë punonjësit e shërbimit zjarrfikës, të cilët janë gjithmonë në krye të detyrës dhe po ashtu është detyra jonë që t’i mundësojmë mjetet e duhura për të kryer detyrën siç duhet.
Përfitoj nga rasti të shpreh vlerësimin maksimal dhe mirënjohjen ndaj Qeverisë së Polonisë për këtë ndihmë bujare për fuqizimin e kapaciteteve të shërbimi të mbrojtjes nga zjarri dhe të shpëtimit. Ndodh shpesh herë që ne harrojmë një pjesë të rëndësishme të këtij shërbimi që lidhet me shpëtimin dhe përfitoj nga rasti që t’i kujtoj kryetarëve të bashkive se ndërsa Shqipëria po bëhet çdo ditë e më shumë, çdo vit e më shumë një destinacion i rëndësishëm turistik jo vetëm pjesa që lidhet me mbrojtjen kundër zjarrit, por tashmë dhe pjesa që lidhet me shpëtimin merr një rëndësi të posaçme. Është e pamundur që Policia e Shtetit të përballoj të gjitha kërkesat që lidhen me faktin që turistë vendas apo të huaj humbën rrugën në një destinacion të caktuar diku në një mal apo diku tjetër dhe gjithmonë thirret në ndihmë Policia e Shtetit, këtu shërbimi i mbrojtjes kundër zjarrit dhe të shpëtimit duhet të marri një rol tjetër dhe mendoj që ka ardhur koha që të investohemi në burimet e duhura njerëzore, por dhe në pajisjet e duhura për ta kërkuar këtë shërbim dhe qoftë Pogradeci, qoftë Lezha edhe Fieri, por dhe me të gjithë kryetarët e bashkive në takimin që patën ditën e shtunë në Shkodër e kam kërkuar këtë dhe besoj që do të adresohet. Po ashtu dua të shpreh mirënjohjen edhe në emër të dhjetë bashkive përfituese të këtij projekti ku kemi mbi 350 zjarrfikës, të cilët përfitojnë pajisjet dhe trajnimet e duhura.
Kemi dy stacione zjarrfikëse të reja fal këtij projekti, po ashtu siç e shikoni tre automjete të standardit më të mirë evropian do t’i dorëzohen pas fjalës time bashkive të Lezhës, Pogradecit dhe Fierit dhe gjithashtu të gjithë konteinerët me të gjitha pajisjet e kërkim shpëtimit për këto tre bashki. Po ashtu bëhet fjalë për një set të standardeve më të mira të uniformave profesionale qoftë për mbrojtjen kundër zjarrit të të gjithë zjarrfikësve dhe po ashtu bëhet fjalë për 156 sete uniformash profesionale. Kemi arritur të bëjmë në një kohë të shkurtër fal këtij projekti edhe trajnimin bazë të 356 zjarrfikësve të dhjetë bashkive përfituese.
Unë e kam thënë prej ditës së parë kur Kryeministri dhe Kuvendi i Shqipërisë më besuan këtë detyrë se shërbimi i mbrojtjes kundër zjarrit dhe ai i shpëtimit janë një shërbim tepër i rëndësishëm dhe ndaj të cilit duhet gjithmonë dhe më shumë një vëmendje më e madhe dhe një mbështetje më e madhe për vetë rrezikshmërinë që paraqesin fatkeqësisht, dëmet që ato sjellin, por për fat të keq ndonjëherë edhe të shkaktuara me apo dhe pa dashje nga dora e njeriut na kërkohet gjithmonë e më shumë një reagim i menjëhershëm. Në këtë shërbim edhe sekonda mund të bëj diferencë dhe prandaj besoj që sa herë që ndodhemi para një sfide edhe unë jam munduar që të jem gjithmonë kur këto sfida kanë qenë më të vështira pranë jush. Pyetja që i shtrojmë vetes është që a kemi marr masat e duhura parandaluese, a kemi bërë inspektimet e nevojshme, a jemi të përgatitur sa duhet për të reaguar në kohë për nevojat e përditshme shtuar këtu dhe rrezikun në rritje për shkak të ndryshimeve klimaterike.
Dua t’ju them punonjësve të shërbimit zjarrfikës se ky shërbim ka nevojë për burra dhe gra të devotshëm, të përkushtuar, që e duan punën dhe shërbimin që bëjnë dhe janë gati të sakrifikojnë gjithçka për të shpëtuar njerëzit në rrezik, për të shpëtuar jetë. Nuk mund të shkosh në një operacion për fikjen e një zjarri nëse nuk e ke angazhimin dhe përkushtimin për detyrën, për uniformën e zjarrfikësit dhe për atdheun.
Unë informohem në mënyrë të vazhdueshme për problematikat që ndeshen nga ana juaj gjatë funksionimit të shërbimit zjarrfikës në bashki. Unë e di fare mirë që kemi një mangësi në gatishmërinë operacionale të mjeteve dhe bashkë me kryetarët e bashkive kemi pasur dhe do të kemi një diskutim për një vëmendje më të madhe. Po ashtu dua t’ju informoj që qeveria bashkë me vende të tjera partnere siç është rasti i Polonisë, ne do të kemi shumë shpejtë besoj një projekt tjetër, i cili është në proces diskutimi dhe besoj do ta finalizojmë me qeverinë Italiane, për të siguruar një flotë të plotë zjarrfikësesh, jo vetëm për tre bashki, por pothuajse për të gjitha bashkitë e vendit.
Dhe unë e di fare mirë që na duhet të ndryshojmë mënyrën e përzgjedhjes të punonjësve të shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit. Për këtë kam besimin që kryetarët e bashkive e kuptojnë që vendi i punës së punonjësit të zjarrfikësit nuk është një vend për të bërë qokë, ku është dikush që të vjen çdo ditë te dera e bashkisë dhe të kërkon një vend pune.
Gjejini një vend pune tjetër, por nuk është vendi i punës të punonjësit të shërbimit zjarrfikës dhe shpëtimit i bën për t’i bërë një nder dikujt. Se duke u përpjekur t’i bësh nder, mund t’i bësh qeder atij dhe kolegëve të tij!
Ne do të vazhdojmë të plotësojmë strukturat operacionale, dhe të vazhdojmë me një proces që sapo e kemi nisur ku kemi përfshirë dhe Akademinë e Sigurisë, në trajnimin por dhe certifikimin e të gjitha niveleve në shërbimin zjarrfikës, ku marrja e gradës nuk mund të jetë më një vlerësim fiktiv, por duhet të jetë një vlerësim objektiv i performancës dhe natyrshëm i eksperiencës së fituar në këtë shërbim.
Le të shërbejë kjo ditë e sotme si një ditë e parë një fillimi të ri, të një procesi ristrukturimi të këtij shërbimi për t’u përgjigjur me më shumë cilësi nevojave të qytetarëve.
Prandaj dua të ndaj sot me ju dhe me publikun se Ministria e Brendshme tashmë e ka filluar punën edhe për rishikimin e ligjit bazë që rregullon këtë shërbim, për riorganizimin e shërbimit zjarrfikës qoftë në nivel bashkie, por për të krijuar dhe një koncept bashkëveprimi në nivel qarku, apo dhe në forma të tjera.
Na duhet ta kategorizojmë sipas nivelit të bashkive, nevojën reale që ato kanë për shërbim zjarrfikës, duke mos harruar asnjëherë se edhe për bashki, në dukje të vogla, për nga numri i banorëve, kemi sipërfaqe të mëdha territoriale, të cilat duhen mbuluar me këtë shërbim; po ashtu me shtesa organike dhe hapje të stacioneve provizore gjatë sezonit turistik të verës, për t’u mbuluar të gjitha nevojat. Dhe, sikurse e thashë, edhe ngritja e qendrës së trajnimit zjarrfikës është po ashtu një pjesë e rëndësishme e kësaj qasjeje të re.
Na duhet të përdorim teknologjinë.
Teknologjia sot është një mundësi e mirë për të shkurtuar kohën e humbur dhe dixhitalizimi i shërbimit zjarrfikës është një prej sfidave, të cilat, drejtori i ri, i drejtorisë sonë, duhet që ta mundësojë sa më shpejt.
Në përputhje me problematikat e shtuara por edhe me të gjitha masat e propozuara që ne kemi mbledhur nga të gjithë ekspertët, bashkë me një grup pune, por edhe më një ekspert të huaj, ne do të kemi shumë shpejt një strategji të re dhe masa të reja, për ndryshimet që duhet të sjellim në këtë shërbim.
I kam ndjekur vetë disa prej ngjarjeve të vështira me të cilat është përballur shërbimi ynë zjarrfikës, qoftë këtu në Tiranë, në një biznes në autostradën Tiranë-Durrës, apo në një qendër tregtare në Lushnje. Mbi bazën e mësimeve të nxjerra nga ato ngjarje, na duhet që të gjitha palët e përfshira, pushtetin vendor, edhe unifikimin e Inspektimit të mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit, të rrisim dhe të garantojmë sigurinë publike nga zjarri në shkallë vendi.
Për këtë qëllim i kam kërkuar edhe IKMT, të bashkëveprojë me pushtetin lokal për të verifikuar respektimin e të gjitha standardeve dhe gatishmërinë e të gjitha mjeteve dhe pajisjeve të shërbimit kundër zjarrit. Duke pasur një fokus të veçantë kryesisht te njësitë tregtare me një fluks të madh të prezencës së publikut.
Ne duhet të kontrollojmë çdo qendër tregtare në këtë vend, nëse ajo i ka të gjitha standardet e mbrojtjes kundër zjarrit, përfshirë shkallët e shpëtimit, daljet e emergjencës dhe mbi të gjitha pjesën që lidhet me pajisjet e detyrueshme të fikjes së zjarrit. Po ashtu, duke qenë se po na vjen sezoni turistik, ne nuk duhet të kontrollojmë hotelet në korrik e gusht, nëse ato i përmbushin të gjitha kriteret e caktuara në ligj, në shërbimin e mbrojtjes kundër zjarrit, por duhet ta bëjmë atë tani. Prandaj e kemi filluar prej datës 3 janar dhe shumë shpejt ne do të kemi një raport, për gjendjen e secilës prej këtyre njësive pritëse ku çdo turist që do të vizitojë Shqipërinë, duhet ta ndiejë veten të sigurt edhe në këtë këndvështrim.
Shqipëria, çdo vit e më shumë, po konsolidohet si një destinacion turistik me një klimë, natyrë, e mikpritje mbresëlënëse, por na duhet të vazhdojmë të konsolidojmë edhe dimensionin e sigurisë.
Shqipëria është dhe mbetet një destinacion i sigurt sa i përket dimensionit të sigurisë publike, por me të gjitha hapat që po hedhin, falë edhe mbështetjes së vyer të miqve të Shqipërisë, edhe ky dimension i mbrojtjes kundër zjarrit dhe shpëtimit duhet të ngrihet në nivelin më të mirë të standardeve europiane. Ne e kemi shumë të qartë atë që duam. Shqipëria duhet të jetë një vend kampion në Ballkan jo vetëm sa i përket numrit të turistëve, por ne duam të jemi vend kampion në Ballkan edhe sa i përket sigurisë publike.
Edhe njëherë, faleminderit të gjithëve. Faleminderit çdo punonjësi të shërbimit zjarrfikës në Shqipëri, në të gjitha institucionet e përfshira në këtë shërbim, jo vetëm në institucionet në varësinë e bashkive, por meqë këtu është edhe z.Çako, dua të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time për gjithçka bën edhe Agjencia e Emergjencave Civile, e cila në fakt është referenca jonë, sa i përket këtij shërbimi, për shkak se kjo agjenci ka një standard të lavdërueshëm dhe që falë së cilës, sa herë që gjendemi në vështirësi, në përballje me këtë sfidë, mbështetja e kësaj agjencie është e nivelit dhe standardit më të mirë.
Na vaftë mbarë të gjithëve ky sezon i rëndësishëm turistik që kemi përpara dhe përgëzime bashkive të Pogradecit, Lezhës e Fierit për këtë mbështetje që ju kemi siguruar falë edhe bujarisë së një vendi mik, sikurse është Polonia dhe miradministrimit që bën gjithmonë UNDP-ja me standardet më të mira.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co