Civilët që gjenden në kushtet e luftës civile në Sudan i kanë dhënë BBC-së se në vend po ndodhin përdhunime, dhunë etnike dhe ekzekutime në rrugë. Gazetarët tanë kanë arritur të kalojnë në vijën e parë të luftimeve pranë kryeqytetit, Khartoum.
Zyrtarët e lartë të OKB-së kanë thënë se konflikti e ka zhytur vendin në një nga makthet më të këqija humanitare në historinë moderne dhe mund të shkaktojë krizën më të madhe të urisë në botë.
Ekziston gjithashtu frika se në Darfur, në perëndim të vendit, mund të fillojë të shpaloset një përsëritje e asaj që SHBA e quajti gjenocid 20 vjet më parë.
Si nga hiçi, një shpërthim i madh trondit rrugën në Omdurman. Njerëzit bërtasin dhe vrapojnë në të gjitha drejtimet, duke bërtitur: “Kthehu, kthehu, do të ketë një tjetër shpërthim”. Tymi i dendur mbuloi gjithçka.
Pak më parë, rruga ishte e mbushur me këmbësorë që merrnin oriz, bukë dhe perime nga dyqanet, të cilat sapo kishin filluar të rihapen.
Në mes të shkurtit, ushtria sudaneze rimori qytetin – një nga tre vendbanimet e mëdha përgjatë lumit Nil, që formojnë kryeqytetin më të gjerë të Sudanit, Khartoum.
Tashmë civilët kanë filluar të kthehen, por mortajat, si ajo që ra në mes të kësaj rruge kryesore, bien ende çdo ditë.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co