Sylvinho në krye të Shqipërisë ka vërtetuar se nuk ndryshon shpesh, vetëm në ato raste kur është i kushtëzuar, si pasojë e mungesave apo dëmtimeve. Sylvinjo nuk pritet të ndryshojë as në miqësoren kundër Kilit, të paktën kur bëhet fjalë për formacionin titullar. Këto ditë, gjatë grumbullimit, Sylvinho punoi me grupin e plotë, për një ditë më parë u largua Myrto Uzuni si pasojë e një dëmtimi në tendinën e Akilit, me sulmuesin që u rikthye në Spanjë.
Për sfidën kundër Kilit nuk do të jetë në dispozicion as Etrit Berisha, i dëmtuar, duke bërë që në portë nga minuta e parë të zbres Thomas Strakosha.
Në mbrojtje, ndryshimi i vetëm ka të bëjë me partnerin e Berat Gjimshitit. Në mungesë të Ismajlit, i dëmtuar, Sylvinho preferon Enea Mihaj, me këtë të fundit që ka fituar balotazhin me Marash Kumbullën. Krahët plotësohen nga Hysaj në të djathtë dhe Mario Mitaj në të majtë. Asnjë ndryshim në mesfushë, me Asllanin dhe Ylber Ramadanin që janë të paprekshëm në çdo rrethanë.
Pavarësisht se nuk po kalon momentin e tij më të mirë, Nedim Bajrami pritet të zbres sërish nga minuta e parë. Në krahë të sulmit, Jasir Asani dhe Taulant Seferi do të mbështesnin sulmuesin kryesor Sokol Cikalleshi, të paktën ky është perceptimi i krijuar, një formacion që nuk ndryshon nga kualifikueset “Euro2024”.
Sigurisht, Sylvinho pritet të ndryshojë gjatë ndeshjes ku do të provojë elementë të tjerë si Broja, Rey Manaj, Arbër Hoxha e të tjerë, për të parë në aksion lojtarë që nuk i ka pasur më herët në dispozicion.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co