Të lirohen në procedurë të rregullt dhe të rikthehen në atdhe të akuzuarit nga Gjykata Speciale, ka bërë thirrje sot ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa.
Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit ka thënë sot se po të ishte në vend të kryeministrit, do të bënte çmos për lirimin e të të pandehurve që po mbahen në Gjykatën Speciale në Hagë.
Sipas tij, Gjykata Speciale u themelua nën presion të vendeve të errëta të bllokut politik, të cilit i printe Rusia.
“UÇK për shkak të kauzës së drejtë për çlirimin e Kosovës nga makineria vrastare serbe ka fituar përkrahjen me aleancen e NATO-s, dhe në këtë mënyrë prishi balancat politike strategjike për Ballkanin dhe më gjerë. Ajo arriti që këto politika t’i orientoi kah perëndimi duke u larguar nga blloku ruso-serb dhe ai i lindjes”, tha ai.
Mustafa foli edhe për fushatën kundër UÇK-së që nga paslufta.
“Produktet e kësaj fushate anti UÇK dhe anti-shqiptare në pergjithësi, janë evidente dhe më substanciale ndër to është vet Gjykata Speciale, por ajo çfarë nuk arritën kurrë, është tendenca e pakompromis për të zhbërë aleancën e shteteve mike e pro-demokratike, me pasuesit e UÇK-së dhe me shtetin e Kosovës. Udhëheqësit e UÇK, padyshim do të hyjnë në analet e historisë si kulmi i përpjekjeve për të çliruar shqiptarët njëherë e mirë, por edhe si goditja më e fortë bllokut ruso-serb dhe aleatëve të saj, duke fituar e bardha mbi të zezën”, u shpreh Remi.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co