Rusia njoftoi dje, të shtunën mbrëma, se zmbrapsi një sulm nga dhjetë raketa ukrainase që synonin Sevastopolin, në Krime, gadishullin ukrainas të aneksuar nga Moska në 2014.
“Ushtria jonë zmbrapsi një sulm masiv në Sevastopol. Sipas informacioneve të para, më shumë se 10 raketa u rrëzuan”, -tha guvernatori i emëruar nga Rusia i Sevastopolit, Mikhail Razvozaev, në një postim në Telegram. Më pas ai sqaroi se nga sulmi humbi jetën një person, një civil 65-vjeçar dhe se katër persona u plagosën, mes tyre një adoleshent. Ai gjithashtu vuri në dukje se infrastruktura ishte dëmtuar, duke përfshirë një ndërtesë dhe një linjë gazi natyror.
Transporti rrugor dhe detar që lidh Rusinë me gadishullin e Krimesë u pezullua për disa orë, njoftoi në të njëjtën kohë administrata rajonale e transportit e emëruar nga Rusia. Krimea është shpesh në shënjestër nga raketat dhe dronët e ushtrisë ukrainase për shkak të rëndësisë së saj në mbështetjen logjistike për forcat pushtuese ruse në Ukrainën jugore.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co