4 gola kishte pësuar Shqipëria në epokën Sylvinho, por në një sfidë të vetme Kili na shënoi 3. Sigurisht nuk është momenti për të vënë alarmin, ishte thjesht një test miqësor, por ishte një humbje që djeg jo pak, një humbje që la një shije të hidhur. Sylvinho dhe të besuarit e tij janë në garë me kokën për të sjell këtë të hënë një ekip ndryshe, në miqësoren e radhës kundër Suedisë. E vetmja gjë që nuk ndryshon është atmosfera, edhe në Stokholm pritet që tifozët kuqezi të “pushtojnë” stadiumin “Fridens Arena”, deri më tani janë shitur afro 20 mijë bileta, ku shumica dërmuese janë tifozë kuqezi.
Në këto ditë, pas humbjes kundër Kilit, Sylvinho ka provuar element të ndryshëm gjatë seancave stërvitore, ka provuar element të rinj, për të hedhur në fushë një formacion ndryshe. Sigurisht, ndryshimet pritet të jenë të ndjeshme mbi të gjitha në repartin ofensivë, ku lojtarë si Broja, Muçi, Arbër Hoxha dhe Muçolli pritet të kenë më shumë minuta, për të krijuar një ide më të qartë mbi potencialin e tyre. Jo vetëm në fazën sulmuese, ndryshime priten edhe në mbrojtje, me Balliun që pritet ta nis nga minuta e parë, ndërsa edhe Gjimshiti mund të ketë një partner të ri, me Kumbullën që ta fituar balotazhin me Mihaj.
Kjo është hera e 6-të që dy përfaqësueset përballen ndërmjet tyre, 3 fitore për Suedinë, një barazim dhe një fitore për Shqipërinë. Nuk besojnë shumë te Shqipëria kompanitë e basteve teksa një sukses i mundshëm i kuqezinjve kuotohet me koeficientin 5,50, ndërsa një fitore e mundshëm e Suedisë vlerësohet me koeficientin 1,53.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co