Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, trajtoi mbrëmjen e sotme masakrën e Don Boskos në kryeqytet.
Pjesë nga dokumentari:
Do të duhej atentati ndaj Erjon Hasanbelli në Bruksel në muajin qershor të vitit 2022, që Kasandër Noga, jo vetëm të arrestohej në Austri me kërkesë të autoriteteve belge, por edhe të zbulohej plani i tij për të vrarë vëllezërit me të cilën ishte në përplasje të vjetër. Një atentat që tronditi edhe vetë shtetin belg, ku këto personazhe ishin parë shpesh të ishin në përplasje. Ku këtë herë Kasandër Noga thuhet se e kreu krimin bashkë me nipin e tij. Të njëjtin që e kishte angazhuar edhe në Shqipëri për disa vrasje të tjera, disa prej tyre të cilat kishte mundur t’i arrinte t’i realizonte me sukses.
“Më datë 11 qershor 2022, është informuar se në qendër të Brukselit një person i dyshuar ka qëlluar me 6 plumba pas shpine, shtetasin Mikel Rakipllari alias Erjon Hasanbelli, i datëlindjes 1978, i cili pasi është dërguar në spital, i ka mbijetuar këtyre goditjeve. Si autor i dyshuar i këtij sulmi me armë është identifikuar shtetasi Kevin Zeneli (Suçi), datëlindja 1999, i cili ka qenë i shoqëruar nga Kasandër Noga”, thuhet në dosje. Por ndërsa Kasandër Noga u arrestua në Austri, si i dyshuar për plagosjen me armë në qershor të vitit 2022 në Belgjikë të Erjon Hasanbelli, ai nuk mundi të zhdukte dot provat nga aparati i tij celular. Prova që treguan se ai është një nga personat kryesorë që ka gisht edhe në Masakrën e ‘Don Boskos’ më 4 janar 2022, në Tiranë. Ku sërish objektivi ishte Erjon Hasanbelli. Por që mundi ta shënjestrojë vetëm 6 muaj më pas në Bruksel. “Gjatë kësaj kohe nga autoritetet belge është bërë e mundur hapja dhe deshifrimi i aparatit celular të shtetasit Kasandër Noga. Ku del se ky shtetas është i përfshirë edhe në disa fakte që kanë çuar në vrasjen e shtetasit Arben Mërkuri, më datë 18 maj 2022, në Sukth Durrës. Si dhe në fakte të tjera që kanë çuar në vrasjen e shtetasit Erjon Çela, ndodhur më datë 4 Janar 2022, në Bar ‘Focus’, në rrugën ‘Don Bosko’ në Tiranë”, thuhet në dosje. Ajo çka hetuesit belgë zbuluan në aparatin celular të Kasandër Nogës, ishte jo vetëm mënyra se si u përgatiti masakra e ‘Don Boskos’, pavarësisht mos arritjes së qëllimit, por edhe se si ai kishte ende lidhje të forta brenda strukturave të policisë, që vazhdonin ta informonin në lidhje me lëvizjet brenda dhe jashtë Shqipërisë të vëllezërve Hasanbelli, një polici që vazhdon të jetë e inkriminuar.
Dhe që del herë pas here në dosje kriminale, duke ndihmuar personazhe të kësaj bote për të arritur qëllimet e veta. Ashtu sikundër duket se ka ndodhur edhe në ndjekjen që Kasandër Noga, i ka bërë vëllezërve Hasanbelli dhe nipave të tyre.
Ku pa këtë informacion të dalë nga Policia e Shtetit, Kasandër Noga do ta kishte të pamundur t’i ndiqte, në momentin kur ata futeshin dhe dilnin nga Shqipëria.
“Nga bisedat e kryera nga shtetasi Kasandër Noga me nipin e tij Kevin Zeneli (alias Kevin Suçi) dhe me persona të tjerë, del se arma e zjarrit ‘Makarov’, e përdorur nga Kevin Zeneli, në ngjarjen e Brukselit, është blerë prej tij në Tiranë. Ndërkohë që rezulton se Kasandër Noga të ketë marrë informacione nga sistemi TIMS, që prej datës 20 Nëntor 2020”, thuhet në dosje. Po kështu nga analiza e mëtejshme e telefonit të Kasandër Nogës, u gjetën edhe foto të rivalëve të tij. Si edhe të ambienteve që ata frekuentonin në rrugën ‘Don Bosko’.
Që dëshmonin për përgatitjen që Kasandër Noga dhe të tijtë, po bënin, për të larë hesapet me vëllezërit Hasanbelli dhe të afërmit e tyre. Foto të cilat ishin realizuar në vende dhe pozicione të ndryshme, çka tregonin për survejimin e rreptë që Kasandër Noga dhe njerëzit e tij, u kishin bërë rivalëve të tyre.
“Në seksionin ‘Screenshots’ u gjendën foto të personave të ndryshëm, në dukje të nxjerrë nga sistemi TIMS, i Policisë së Shtetit, si dhe foto të lokal ‘Focus’. Më konkretisht foto e një automjeti në dukje ‘Mercedez Benz’ me ngjyrë gri me shënimin ‘Frateloo’ 26 Dhjetor 2021, i ndaluar në një parkim që ndodhet përballë Bar ‘Focus’ në rrugën ‘Don Bosko’, Tiranë.
Foto me shënimin ‘Cucu’ ku vërehen portretet e dy personave në dukje të nxjerra nga sistemi i policisë TIMS, të identifikuar si shtetasi Igli Hatia (Metushi) dhe Ani Rapaj (Metushi)”, thuhet në dosje.
Në fotot e tjera të gjetura në telefonin e Kasandër Nogës, nuk mungojnë edhe ato të Erjon Hasanbelli. Ku miqtë e Nogës dalin se ishin të informuar shumë mirë mbi oraret e lëvizjes së tij. Ku lokal ‘Focus’ duket se ishte i rrethuar nga paparacët e Nogës, që fotografonin gjithçka dhe këto foto më pas ia dërgonin atij.
“Foto portret i një personi të seksit mashkull me shënimin ‘Frateloo’ 11 Qershor 2021, i identifikuar si shtetasi Mikel Rakipllari. Foto ku shfaqen dy automjete tek një parking ku automjeti me targẽ AA 008 ZC, shihet i markuar me rreth. Foto e një personi të seksit mashkull me kapele në kokë identifikuar si shtetasi Mikel Rakipllari alias Erjon Hasanbelli, duke qëndruar në këmbë në trotuarin përpara lokal ‘Focus’, në rrugën ‘Don Bosko’, Tiranë”, thuhet në dosje. Por një e dhënë me interes për grupin hetues, është edhe një video që vetë Kasandër Noga, ka xhiruar vetëm pak minuta pas ngjarjes kriminale të ndodhur në ‘Don Bosko’, ku ai është i shqetësuar pasi në titra, nuk po dalin emrat e viktimave.
“Në kategorinë ‘Video’ ndër të tjera u gjet edhe një regjistrim video ku shfaqet shtetasi Kasandër Noga në ambjentet e një banese, duke filmuar veten. Pas tij në sfond duket televizori që është në kanalin ‘News 24″, duke raportuar për ngjarjen e ndodhur në një lokal në rrugën ‘Don Bosko’, në Tiranë. Gjatë kësaj video Kasandër Noga, dëgjohet teksa thotë: ‘Shoku si kalove? Ja në shpi jam vlla, po shof këtë. Kam merak për ty vlla e kupton. Po shoh këtu, po nuk po jep emra’”, thuhet në dosje.
Ndërkohë që në telefonin e Kasandër Nogës, janë gjendur edhe biseda audio, që vërtetojnë lidhjen e tij me ndjekjen që i është bërë vëllezërve Hasanbelli, kohë pas kohe, ku në këto biseda del një person i dytë, i cili e mban të informuar për çdo lëvizje të tyren. Person që nuk është bërë i njohur për grupin hetues. Por që mesa duket ka informacion të plotë mbi aktivitetin kriminal të Kasandër Nogës dhe qëllimeve të tij për të qëlluar mbi Hasanbellit dhe njerëzit e tij të ngushtë të rrethit familjar.
“‘Nuk ishte objektiv i vështirë burazer e kupton, se atë po e pe në rrugë trak i vete në anësore bërrrr një ashtu dhe iku mbaroi, puna është si do dalim në përballje e kupton’. ‘E shikon rrugën ‘Don Bosko’ vlla, aty tek kthesa kur merr për në Laprak është bërë një lokal i ri, aty më thanë sikur e kanë parë nja dy herë’. ‘Fratelo nuk e di tani sa e vërtetë është por tani një informacion unë e kam. Unë jam i bindur për vete se ai personi që ma dha është shumë i afërt me Fushkrujsit edhe unë ngaqë po kërkoj grupe për vete më tha’”, thuhet në audio-regjistrim.
Po kështu nëpërmjet zbërthimit të telefonit të Kasandër Nogës, u arrit të provohej edhe lidhja e tij me Kevin Zenelin (Suçi), si personi që ishte dërguar prej tij, për të mbaruar punë me vëllezërit Hasanbelli në Shqipëri. Ndërkohë që Kasandër Noga, rezulton se për plagosjen me armë ndaj Erjon Hasanbelli, në muajin qershor të vitit 2022, është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel me 15 vite burgim, Po kaq edhe Kevin Suçi i cili është ende në arrati. Por pas dështimit për të vrarë Erjon Hasanbelli në Tiranë, Kasandër Noga dhe Kevin Zeneli, bëhen gati ti japin goditjen e duhur armikut të tyre në Bruksel, aty ku ai ndodhej aktualisht.
“Nga zbërthimi i telefonit të shtetasit Kasandër Noga, rezulton se ai dhe Kevin Zeneli janë takuar me njëri-tjetrin më datë 14 Janar 2022 dhe datë 21 Janar 2022 në Kroaci. Ku po në këtë datë Kevin Zeneli niset për në Shkup, dhe bën përpjekje për të marrë një pasaportë kroate për çmimin 10 000 euro. Më datë 30 Maj 2022, Kevin Zeneli ka marrë armën ‘Makarov’ dhe do ia lërë dikujt”, thuhet në dosje. Por pasi duket se Kevin Zeneli ka siguruar armën e tip pistoletë ‘Makarov’ në Tiranë dhe Kasandër Noga e ka pëlqyer, ai niset për ta takuar në Bruksel, aty ku 10 ditë më pas do të qëllojnë mbi Erjon Hasanbellinë, të cilin mesa duket e kanë pikasur se ku qëndron në kryeqytetin belg.
“Më 31 Maj ai konfirmon se ndodhet në Tiranë. Ai i dërgon fotografi Kasandër Nogës, ku i thotë të zgjedhë. Nga biseda rezulton se është një person me emrin ‘EMI’ ai që duket se ka komunikuar me anë të një personi të tretë vendndodhjen e Mikel Rakipllarit, më datë 11 qershor 2022 në Belgjikë”, thuhet në dosje. Janë të gjithë këto prova që kanë çuar në bindjen e grupit hetues, se Kasandër Noga, i cili aktualisht ndodhet në një burg në Belgjikë, por që nuk ka marrë ende një dënim nga autoritetet e drejtësisë në Shqipëri, lidhur me masakrën e ‘Don Boskos’ të ndodhur më 4 Janar 2022, dhe nipi i tij Kevin Zeneli (Suçi), janë personat kryesorë që kanë organizuar atë krim ku u vra një njeri i pafajshëm dhe u plagosën katër të tjerë. Por sa kohë që dikush është jashtë qelive, askush nuk mund të ndihet i qetë. Ashtu si edhe vëllezërit Hasanbelli, sa kohë njerëzit e Kasandër Nogës, janë ende të lirë për të qëlluar në çdo kohë.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co