Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, trajtoi mbrëmjen e sotme masakrën e Don Boskos në kryeqytet.
Pjesë nga dokumentari:
Por ndjekja për të vrarë një nga vëllezërit Hasanbelli dhe mos arritja e qëllimit, duket se këtë herë është fokusuar vetëm te nipat e tyre. Të cilët thonë se nisën të shikonin lëvizje të dyshimta të dy personave, rreth tabakinos që ata sapo kishin hapur në zonën e ‘Astirit’ në kryeqytet. Në rrugë private ata siguruan edhe pamje filmike të një lokali, aty nga ku shfaqeshin dy vëllezërit që ishin gjithmonë pas tyre.
“Gjatë periudhës 15-20 janar 2022, unë së bashku me vëllain tim jemi marrë me hapjen e një ‘Tabakino’ te kryqëzimi i ‘Astirit’. Nga fillimi i muajit shkurt, në pamë që pranë biznesit tonë të kalonin shpesh herë në këmbë dy persona të moshës rreth 30 vjeç, të cilët ngjanin shumë me njëri-tjetrin. Të cilët më tej hynë në bisedë me ne. Ata na thanë se ishin nga Durrësi dhe vinin në Tiranë për të shitur peshk. Madje një ditë na ftuan edhe për kafe. Ne filluam të dyshonim te këta dy persona. Pasi sapo ne parkonim makinën tonë, pas nesh vinte gjithmonë një ‘Ford Focus’. Gjatë kësaj kohe në rrugë private ne siguruam pamjet filmike të një lokali, ku dalloheshin këta dy persona që ishin vëllezër”, tha Igli Hatija
Këta dy vëllezër që rezultuan se po i ndiqnin, ishin Indrit dhe Gentjan Beqiraj. Të cilët, nipat e shënjestrave të vërteta të atentatit, i njohën pas arrestimit të tyre në muajin tetor, kur u rrëmbyen dhe u dhunuan fizikisht në autostradën Tiranë-Durrës.
Pasi ishin në aksion, duke kryer një tjetër punë me pagesë. Një aksion që u doli nga duart pasi dikush i tradhtoi. Po ku me t’u arrestuar ata do të tregonin me radhë për të gjithë krimet që ishin rekrutuar për të vrarë. Edhe pse vetë nuk kishin mundur të qëllonin mbi viktimat, për të cilët thanë se do të paguheshin mirë. Por ku krahas këtyre ngjarjeve, ku në njërën prej tyre objektivi ishte arritur, ata dekonspiruan edhe profilin e Kasandër Nogës dhe të nipit të tij Kevin Zeneli (Suçi) në Masakrën e ‘Don Boskos’
“Në muajin qershor 2022, dajës tim Erjon Hasanbelli, i është bërë një atentat me armë zjarri në Belgjikë, ku si autor të kësaj ngjarje, autoritetet belge kanë identifikuar Kasandër Nogën, si edhe një person tjetër”, thotë Hatija.
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në ‘Don Bosko’, ku u vra një person dhe u plagosën katër të tjerë, në pyetje nga grupi hetues, u mor edhe Geron Hasanbelli. Që mendohet se ishte shënjestra e parë e atentatit. Njeriu që më shumë se kush do mund të dinte për Kasandër Nogën dhe që kurrë nuk kishte qetë nga përndjekja e tij. Që nga Masakra e ‘Sanatoriumit’ në vitin 2000, ku Noga dhe miqtë e tij hynë në këtë spital dhe qëlluan ndaj familjarëve të tij, duke lënë të vrarë dhe të plagosur dhe deri më sot, nuk i kanë kursyer plumbat ndaj njëri-tjetrit, jashtë dhe brenda Shqipërisë.
“Vëllai im, Mikel Rakipllari, alias Erjon Hasanbelli dhe nipat e mi Igli dhe Ani Metushi kanë qenë frekuentues të rregullt të lokalit ‘Focus’, në pronësi të shtetasit me emrin Eno (Enelian Adushaj). Unë jam në konflikt të vazhdueshëm me shtetasin Kasandër Noga, i cili ka vrarë babain tim në vitin 2000 në ‘Sanatorium’. Dhe në vazhdim ai është përpjekur vazhdimisht që të më eleminojë fizikisht mua dhe vëllain tim në vitet 2018, 2019 në Tiranë, Rrogozhinë dhe Fier. Ngjarje për të cilat nuk kam bërë kallëzim në organet e ndjekjes penale”, deklaronte Geron (Gentjan) Hasanbelli.
Geron Hasanbelli i vuri në dispozicion grupit hetues edhe pamje filmike të vëllezërve Beqiraj, të cilët vihen re teksa lëvizin në zonën e ‘Astirit’, pranë biznesit në pronësi të nipave të tij. Ndërsa grupi hetues, po nëpërmjet pamjeve filmike të marra nga lokali ‘Fokus’ ku ndodhi masakra e ‘Don Boskos’, mundi të konfirmojë faktin, se Erjon Hasanbelli dhe nipat e tij, ishin frekuentues të rregullt të këtij lokali, deri një ditë para ngjarjes.
“Gjatë këqyrjes së pamjeve filmike në lokalin ‘Focus’, në ambientet e jashtme dhe të brendshme, rezulton se në muajin dhjetor, shtetasi Erjon Hasanbelli, nipat e tij dhe një rreth i ngushtë shoqëror, vihen re shpesh në praninë e njëri-tjetrit. Po kështu evidentohet se këta shtetas, janë fokusuar nga kamerat e sigurisë në ambjentet e lokal Bar ‘Focus’ dhe në parkingun e automjeteve që ndodhet përballë tij, në ditë dhe intervale të ndryshme kohore duke filluar nga data 24 Dhjetor 2021, deri më datë 3 Janar 2022”, thuhet në dosje. Lidhur mbi rrëfimet e vëllezërve Beqiraj, se ata ishin kontraktuar nga Kevin Zeneli (Suçi) dhe Kasandër Noga, për të ndjekur dhe vrarë një nga vëllezërit Hasanbelli, si edhe nipat e tij, grupi hetues i ballafaqoi këto të dhëna edhe me ato të zbuluara në terren.
Ata ndoqën çdo detaj të dëshmisë së tyre, për të siguruar që ata ishin të vërtetë në thëniet që ata po jepnin. Çka u vërtetuan edhe nga gjurmët që ata dhe Kevin Zeneli (Suçi) si personi që i kishte marrë në angazhim, kishin lënë, kudo ku kishin lëvizur nëpër Tiranë, në ndjekje të vëllezërve Hasanbelli dhe nipave të tyre. “Në lidhje me deklarimet e vëllezërve Beqiraj se Kevin Zeneli (Suçi), ka banuar në një apartament në Tiranë, kjo provohet edhe nga kontrata e qirasë që ky shtetas ka lidhur në muajin nëntor 2021. Po kështu deklarimi i tyre se automjeti tip ‘Mercedes Benz’ që u përdor në krim ishte i njëjtë me atë që u ishte dhënë nga Kevin Suçi, për një tjetër ngjarje kriminale, u provuan edhe nga pamjet filmike të datës 4 Janar 2022”, thuhet në dosje. Sipas pamjeve filmike, u arrit të vërtetohej plotësisht i gjithë itinerari që makina e vrasësve kishte ndjekur që në mbërritjen në lokal ‘Focus’, deri në zhdukjen përfundimtare në fshatin Gjorm në Laç. Aty ku humbi gjurmët, bashkë me vrasësin, që edhe sot nuk dihet se kush është.
“Në orën 16:09 në rrugën kryesore përpara lokal ‘Focus’ shikohet një automjet ‘Mercedez Benz’, me ngjyrë të zezë, që lëviz nga Spitali Ushtarak në drejtim të rrugës ‘Don Bosko’. Dhe menjëherë, pas të shtënave ky automjet largohet nga vendi i ngjarjes, ku në orën 16:15 makina e autorëve është fokusuar nga kamerat e sigurisë në autostradën Tiranë-Durrës. Dhe më pas në lëvizje në rrugën e vjetër të fshatit Gjorm, në drejtim të Laçit”, thuhet në dosje.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co