Eneo Bitri zgjodhi të nisë një aventurë të re, teksa u transferua te Craciova. 27-vjeçari, i cili ka luajtur në Kazakistan, Çeki dhe Norvegji, tashmë është gati për të luajtur në elitën polake. Ish-mbrojtësi i Partizanit në një intervistë Skype me Trevisa Tufën, në emisonin Sport News në News 24, preku çështje të ndryshme, si pritshmëritë për përvojën e re, dëshirën e tij, apo rreth një kalimi të mundshëm në të ardhmen te rivalët e Tiranës.
Nga Partizani, te Astana për te vijuar Çeki, Norvegji dhe së fundmi Poloni, kur do të ndalet Bitri, apo ke ndërmend t’i provosh të gjithë kampionatet…
Faleminderit për urimet. Dëshira ime është t’i provoj të gjitha kampionatet. Shpresoj të rri sa më gjatë te kjo skuadër. Mezi pres të shikoj se çfarë do ndodhë më pas.
Si ju pritën në Poloni Bitri, nuk është një kampionat i lehtë për shqiptarët, apo ka ndryshuar ky mendim.
Ka ndryshuar mendimi. Ka ndryshuar edhe mentaliteti, nuk është më si parë. Shpresoj që gjithçka të shkojë si duhet.
Ke folur me Muçin me Çelhakën, ke kontaktuar këtë periudhë?
Jo nuk kam kontaktuar, nuk i njoh personalisht. Më kanë folur gjëra të mira për ta. Jam krenar për ato që kanë bërë këtu.
Çfarë synon nga kjo aventurë e re në Poloni, çfarë kërkon Bitri në këtë pikë të karrierës së tij?
Unë kërkoj shumë në radhë të parë nga vetja ime. Do vijoj të jap maksimumin, të shikojmë se çfarë do të ndodhë. Është ëndërr e çdokujt, të kapë majat e futbollit europian.
Në fakt, pas Skukës, tifozët prisnin edhe rikthimin tënd, a ishte Partizani një opsion?
Partizani është përherë një opsion te unë. Është shtëpia ime. unë kam vendosur të fokusohem te karriera. Nuk e lë asnjëherë mbrapa.
Je shumë i përfshirë kur bëhet fjalë për Partizanin, si i sheh këtë sezon, a mund të mbrojnë titullin kampion?
Mendoj se shanset i kanë. Me ardhjen e Skukës, ekipi është forcuar. Kampionati është i paparashikueshëm, por Partizani i ka mundësitë e mëdha për të fituar sërish.
Këtë periudhë u diskutua shumë transferimi i Shehit te Partizani, si fillim si e vlerëson këtë lëvizje
Të gjithë e njohin trajnerin Shehi, të gjithë e dijnë se çfarë ka dhënë ai te Tirana. Mendoj se ishte një lëvizje e duhur, për këtë gjë jam shumë i sigurt.
Ti a do shkoje te Tirana?
Unë aty ku ha, nuk pështyj dot. Unë i qëndroj idesë time dhe i qëndroj deri në fund. Unë e respektoj atë që kisha në fillim.
(J.S/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co