Ish-kongresmeni Joe DioGuardi: AADF s’ka punë brenda perimetrit të Butrintit, po shkel konventën e trashëgimisë së UNESCO-s

ish kongresmeni joe dioguardi aadf ska pune brenda perimetrit te butrintit po shkel konventen e trashegimise se unesco s
ish kongresmeni joe dioguardi aadf ska pune brenda perimetrit te butrintit po shkel konventen e trashegimise se unesco s

Ish-kongresmeni Joe DioGuardi ka reaguar në lidhje me Fondacionin Amerikano-shqiptar të Zhvillimit sa i takon parkut kombëtar të Butrintit. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale thekson se i ka ndjekur me shqetësim që prej 2020-ës zhvillimet për çështjen e Butrintit s dhe përpjekjet e AADF-së për të marrë në dorë menaxhimin, posedimin, kontrollin dhe përdorimin e këtij parku.

“Është bindja ime e palëkundur se, si fondacion jo fitimprurës i përkushtuar vetëm për “zhvillimin e sektorit privat”, AADF-ja s’ka absolutisht asnjë punë brenda perimetrit të cilësdo pasuri të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, të cilat janë të gjitha pasuri publike.”, -shkruan Joe DioGuardi.

DEKLARATA E ISH-KONGRESISTIT JOE DIOGUARDI
DIOGUARDI DENONCON STATUSIN TATIMOR TË AADF-SË
Qysh kur u zgjodha në Kongresin e SHBA-së si kontabilisti i parë publik i certifikuar jam përpjekur që në operacionet fiskale të qeverisë të ketë prudencë, transparencë dhe llogaridhënie. Gjatë punës sime në Kongres më 1987 unë u bëra autori i Projektligjit për Drejtuesin Kryesor Financiar, të dekretuar nga Presidenti George H.W. Bush më 15 nëntor 1990. Më 1989 themelova Truth in Government, një organizatë që ushtron kontroll publik, dhe që është e përkushtuar ndaj përgjegjësisë fiskale të qeverisë përmes nxitjes së praktikave të ndershme në buxhet, kontabilitet, menaxhimin dhe raportimin financiar.

Qysh nga viti 2020 kam ndjekur me shqetësim të madh aktivitetet dhe operacionet e Fondacionit Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit [AADF] në Shqipëri, sidomos për pasurinë e Trashëgimisë Botërore të Butrintit. Unë i kam kundërshtuar fuqimisht përpjekjet e AADF-së për të marrë në dorë menaxhimin, posedimin, kontrollin dhe përdorimin e Butrintit. Është bindja ime e palëkundur se, si fondacion jo fitimprurës i përkushtuar vetëm për “zhvillimin e sektorit privat”, AADF-ja s’ka absolutisht asnjë punë brenda perimetrit të cilësdo pasuri të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, të cilat janë të gjitha pasuri publike.

Cenimet dhe shkeljet e Konventës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nga AADF-ja i kam ngritur edhe me Administratën dhe Kongresin Amerikan. Kohët e fundit i kam dërguar një Peticion Bordit të të Besuarve të AADF-së, ku u kam kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të tyre, Michael D. Granoff, si dhe largimin nga detyra të Zz. Martin Mata and Aleksandër Sarapuli; kam sugjeruar emërimin e një Drejtori të Vetëm Ekzekutiv, të lindur në SHBA, për të drejtuar AADF-në; kam kërkuar angazhimin e njërës nga “Katër kompanitë e Mëdha” të pavarura amerikane të auditimit në New York City për të ndërmarrë një auditim të plotë dhe tërësor të operacioneve të AADF-së në 10 vitet e fundit, në përputhje me ligjin amerikan; si dhe kam kërkuar që AADF-ja të tërhiqet zyrtarisht nga Marrëveshja e vitit 2021 me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë që mundëson marrjen në dorë të Butrintit nga një fondacion i dedikuar i kontrolluar nga AADF-ja.

Pavarësisht nga sa më sipër, AADF-ja ka vijuar me këmbëngulje qysh nga v. 2016 përpjekjet për të shtënë në dorë pasurinë e Trashëgimisë Botërore të Butrintit. Sikur të mos mjaftonte Butrinti, AADF-ja është përfshirë edhe në pasuritë e Trashëgimisë Botërore të (i) Liqenit të Ohrit dhe (ii) Berat/Gjirokastrës. Megjithatë, në shtator 2023 Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s [KTB] shprehu shqetësimin e vet më të thellë për shkeljen e Konventës së Trashëgimisë Botërore në pjesën e Shqipërisë të Liqenit të Ohrit, çka mund të sjellë si pasojë vendosjen e kësaj pasurie në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik. Dihet se në Liqenin e Ohrit AADF-ja është përfshirë në jo më pak se 7 nga 15 projekte që cenojnë Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të tij. Për shkak të këmbënguljes në synimet e AADF-së për të shtënë në dorë edhe Butrintin, pritet gjerësisht që Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s të marrë vendim të ngjashëm negativ edhe për Butrintin në Sesionin e vet të ardhshëm të 46-të në korrik 2024.
Ndërsa tani mësoj se, ndërsa AADF-ja ishte e zënë duke u përpjekur të shtjerë në dorë trashëgiminë botërore të Shqipërisë, ajo paska shpërfillura në mënyrë krejt të pakujdesshme ligjet dhe rregulloret e Shteteve të Bashkuara. Si rrjedhojë, qysh më 15 maji 2023 “AADF -së i është revokuar nga IRS-ja statusi i përjashtimit nga taksat”. Kjo gjë përbën skandal madhor për një entitet të financuar nga tatimpaguesit amerikanë, i cili pretendon se “shërben si simbol i përkushtimit dhe kontributit ndaj demokracisë dhe mirëqenies së popullit të Shqipërisë”.

Ka qenë bindja ime e palëkundur se AADF-ja qysh në fillim nuk e ka merituar statusin e përjashtimit nga detyrimet tatimore për shkak të aktiviteteve të saj të palejueshme në Shqipëri – përfshirë lobingun. Prandaj do t’i kërkoj Komisionerit të IRS-së që të mos ta rivendosë statusin e entitetit të përjashtuar nga tatimet për AADF-në në rast se ata nuk zbatojnë tërësisht ligjet, rregulloret dhe parimet tona, dhe kjo duhet të përfshijë pajtueshmërinë me kriteret e UNESCO-s si dhe tërheqjen nga skema e tyre e pashembullt për Butrintin.
Gjithashtu unë kam ndërmend që t’u drejtohem edhe Komisionit të Burimeve e Rrugëve Financiare të Dhomës së Përfaqësuesve, si dhe Komisionit të Financës të Senatit (të cilët kanë që të dy juridiksion mbikëqyrës nga IRS-së), me kërkesën që të çelin një hetim ndaj AADF-së.

Në konkluzion, u sugjeroj autoriteteve tatimore të Shqipërisë që të ndërmarrin kontrollet e veta mbi të gjitha operacionet e AADF-së në Shqipëri për të përcaktuar detyrimet e mundshme të saj tatimore ndaj Shqipërisë, përfshirë edhe detyrimet tatimore mbi pagën, që mund të jenë në ngarkim të dy bashkë-Drejtorëve të mirëpaguar Ekzekutivë të cilët, vetëm në vitin 2019, janë shpërblyer me një pagë vjetore në masën 159,383 dollarë secili.
Së fundmi, përfitoj nga rasti për t’i kujtuar Ambasadës së SHBA-së dhe zyrës së USAID-it në Tiranë se u takon edhe atyre që të jenë më të kujdesshëm dhe të rikonsiderojnë besimin e mbështetjen e tyre derimëtani të palëkundur ndaj AADF-së.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →