Analiza e Zërit të Amerikës/ A ka Donald Trumpi imunitet presidencial?

analiza e zerit te amerikes a ka donald trumpi imunitet presidencial
analiza e zerit te amerikes a ka donald trumpi imunitet presidencial

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do të dëgjojë në 25 prill argumentet rreth imunitetit presidencial dhe nëse ish Presidenti Donald Trump mund të dalë në gjyq lidhur me akuzat se ka kryer komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Vendimi i organit më të lartë gjyqësor të vendit do të përcaktojë se çfarë rrjedhe do të marrin në një vit zgjedhor disa prej çështjeve në ngarkim të kandidatit të pritshëm republikan për zgjedhjet presidencile të 5 nëntorit. Ish Presidenti Trump përballet me 91 akuza penale në 4 çështje të ndryshme. Mes akuzave është mbajtja me paramendim e dokumenteve tepër sekrete të mbrojtjes kombëtare, në shkelje të Aktit të Spiunazhit.

“Donald Trumpi po përpiqet të tregojë se Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka imunitet nga ndjekja penale për veprime zyrtare gjatë kohës që ka qënë në detyrë”, thotë për Zërin e Amerikës Charles Bullock nga Universiteti i Xhorxhias.

“Megjithatë, besoj se në thelb të kësaj çështjeje ështe se sa gjerësisht i përkufizojnë zoti Trump dhe avokatët e tij aktet zyrtare”, shpjegon ai.

“Aktualisht, ata japin një përkufizim shumë të gjerë. Trumpi thotë se Presidenti duhet të ketë mbrojtje të plotë për sa kohë është në ushtrim të funksionit zyrtar, por paneli prej tre gjykatësish që vendosi kundër tij shtroi pyetjen, “Po në rast se një President paguan një vrasës për të eleminuar një nga kundërshtarët e tij? A përbën kjo një akt zyrtar dhe a mund të jetë Presidenti imun në këtë rast? Mendoj se të gjithë do të thoshim se “sigurisht që jo”!.

Shumë republikanë vazhdojnë të mbështesin Trumpin

Çështja që do të marrë në shqyrtim këtë muaj Gjykata e Lartë, ku 3 prej 9 anëtarëve saj janë emëruar nga zoti Trump, përfshin akuzat federale se zoti Trump u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 duke shpërndarë informacin të rremë dhe duke ushtruar trysni ndaj Nën Presidentit të atëhershëm Mike Pense që të refuzonte rezultatet e ligjshme të zgjedhjeve kur iu paraqitën Kongresit për certifikim.

Certifikimi nga Kongresi i votave të delegatëve zgjedhorë në 6 janar 2021, u ndërpre nga mbështetës të zotit Trump që sulmuan Kapitolin. Për atë sulm, zoti Trump përballet me një tjetër akuzë, atë për përpjekje për të penguar një procedure zyrtare të Kongresit.

Ish-Presidenti Donald Trump argumenton se në kohën kur i ndërmori këto veprime ishte president dhe për këtë arsye nuk mund të ndiqet penalisht.

Në argumentet e depozituara në Gjykatën e Lartë avokatët e tij shkruanin se “Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrat e tij dhe institucioni i Presidencës nuk mund të ruajë pavarësinë jetike, në rast se Presidenti përballet me ndjekje penale për aktet zyrtare pas mbarimit të mandatit”.

Një sondazh i revistës “Politico” dhe kompanisë së anketimeve Ipsos tregonte se 70 për qind e votuesve, përfshirë thuajse gjysmën e republikanëve, refuzojnë argumentin e zotit Trump se presidentët duhet të kenë imunitet nga ndjekja penale për krime që i kanë bërë ndërsa mbanin detyrën zyrtare.

Votuesi republikan Jeff Williams nga qyteti Valparaiso në shtetin e Indianës beson se akuzat ndaj zotit Trump tregojnë se ai po vihet në shënjestër në mënyrë të padrejtë nga demokratët.

“Mua më krijohet përshtypja se këto të gjitha janë çështje që i kanë ngritur prokurorë të lidhur me demokratët, në qarqe që anojnë nga demokratët, me shpresën se juritë që anojnë po nga demokratët, do të votojnë kundër Trumpit thjesht dhe vetëm sepse nuk e pëlqejnë”, i tha ai Zërit të Amerikës.

“A mendoj unë se një President duhet të ketë imunitet të plotë përballë ligjit? Në asnjë mënyrë. Por a kam parë ndonjë provë që sugjeron se Presidenti Trump është fajtor përtej një dyshimi të arsyeshëm? Abolutisht jo. Kjo më duket një gjueti shtrigash”, thotë ai.

Votuesja demokrate Deborah Theobald në qytetin Woodstock në shtetin e Xhorxhias thotë se “gjysma e vendit do të duhet të justifikojë votën për një kriminel këtë vit”. Ajo thotë se “nuk e beson dot që po e gjejmë veten në një situate të tillë”.

55 për qind e amerikanëve u përgjigjën në një sondazh të agjencisë së lajmeve Reuters dhe kompanisë së anketimeve Ipsos se nuk do të votonin për Donald Trumpin nëse ai shpallej fajtor për një vepër penale nga një juri, ndërsa 58 për qind thanë se nuk do të votonin për ish-Presidentin nëse ai do të gjendej në burg.

“Nëse një person ka kryer krim ndërsa mbante detyrën, apo ka bërë një krim të rëndë para se të merrte detyrën, atëherë mendoj se duhet të gjykohet si çdo amerikan tjetër”, thotë Rebecca Urrutia, një nënë nga shteti Konektikat, e cila votoi për zotin Trump si në 2016 edhe në 2020.

“Kushdo që thotë se Presidenti duhet të ketë imunitet nga gjykimi për një krim nuk mbron Kushtetutën dhe vendin tonë. Presidenti është një qytetar dhe shërbëtor i vendit tonë, nuk është as mbret, as perandor, dhe nëse shkel ai ligjin, nuk mund të votoj për të”, thotë ajo.

Ndikimi në zgjedhjet e pritshme presidenciale

Është një pike kthese për sistemin e drejtësisë amerikane dhe një moment politik vendimtar për zotin Trump, thotë Robert Collins, profesor mbi politikat publike dhe studimet urbane pranë universitetit “Dillard”.

“Sondazhet kanë treguar se nëse ai shpallet fajtor ose jo ka ndikim të madh për zgjedhjet presidenciale. Por, përtej vendimit që do ketë për këto raste, sa më shumë të zgjasin ato, aq më shumë ka të ngjarë që zoti Trump të shmangë një vendim që e shpall atë fajtor përpara ditës së zgjedhjeve”, thotë zoti Collins.

Votuesit e pavarur kanë rol kritik në ato që njihen si shtete kyçe, shtete ku kandidatët republikanë dhe demokratë gëzojnë thuajse të njëjtin nivel mbështetjeje, dhe më shumë se 1/3 e tyre thanë në anketimin e revistës “Politico” dhe kompanisë Ipsos, se ka më pak të ngjarë të votonin për Trumpin nëse ai do të dënohej.

“Por nëse deri para zgjedhjeve nuk ka vendim gjyqi për dënimin e tij, që mund të ndikonte në votën e zgjedhësve, atëherë votuesit republikanë mund të vazhdojnë ta përkrahin atë (Donald Trumpin). Dhe nëse ai fiton zgjedhjet dhe dënohet pas tyre, atëherë ai mund të thotë se si President në detyrë, ka të drejtën të fali veten. Eshtë një situatë. Rrezikshme”, thotë zoti Collins.

Votuesja nga Melburn në Florida, Jillian Dani, që e mbështeti zotin Trump në vitin 2016 dhe 2020, thotë se rrjedha e çështjeve të tij ligjore do të kenë ndikim të madh për votën e saj në nëntor.

“Nga njëra anë nuk do të votoja për dikë që është dënuar se ka kryer një krim”, i tha zonja Dani Zërit të Amerikës. “Por nga ana tjetër, druaj se kjo është një gjueti shtrigash ndaj dikujt që demokratët ia kanë frikën. Besoj se Clintoni dhe Bideni ishin gjithashtu kriminelë, por nuk u dënuan. Nëse as Trumpi nuk dënohet, atëherë përse duhet të trajtohet ndryshe”, pyet ajo./Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb

Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co

dsaadmin

Learn More →