Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë vizituar sot vilën e konfiskuar të ish-nën kryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç.
Ministrja Albulena Haxhiu para mediave ka thënë se pasuria e konfiskuar e Milan Radoiçiç tashmë është nën pronësi të Ministrisë së Drejtësisë.
“Mjetet e konfiskuara janë dhënë për shfrytëzim për policinë e Kosovës. Ndërsa, kemi edhe një aktvendim për disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, njëra ndër to është edhe vila luksoze e cila është konsideruar të jetë e kriminelit Millan Radoiçiq. Tashmë kjo vilë ka të vendosura kamerat e sigurisë, dhe për të përcjellur çdo lëvizje, po ashtu janë edhe policia e cila po qëndron këtu, për të ruajtur këtë pasuri të paluajtshme”, tha ministrja Haxhiu.
Ajo tha se janë edhe disa banesa, restorante e pasuri tjera të paluajtshëm që tashmë janë konfiskuar.
Ndryshe, të enjten, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar një dokument me listë të gjatë të pasurisë që i është konfiskuar kreut të grupit terrorist serb Milan Radoiçiq, në veri të Kosovës.
Milan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë – ka pranuar se ka organizuar dhe udhëhequr sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë një polic, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co