Tiranë, 5 prill – Inteligjenca Artificiale, inovacioni dhe trajnimi i punonjësve të administratës publike ishin fjalët kyçe të ditës së sotme në trajnimin me temë “Transformimi Digjital i Punës në Administratën Publike – Inteligjenca Artificiale Gjenerative”, organizuar nga Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin në bashkëpunim me Agjencinë e Inovacionit dhe Ekselencës.
Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Znj. Adea Pirdeni tha se ky trajnim i njeh punonjësit e administratës publike me bazat e platformave të Inteligjencës Artificiale në punën e përditshme.
“Dëshiroj të falenderoj për pjesëmarrjen në këtë trajnim të parë të këtyre përmasave mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale gjenerative në punën tonë të përditshme në administratën publike. Sot Inteligjenca Artificiale përdoret rëndom për të kryer çdo lloj pune që është rutinore, por dhe mbi të gjitha për të na kursyer shumë kohë në proceset tona të punës analitike dhe duke na sjellë dhe një sens të ri dhe një kuptim të ri mbi kohën dhe produktivitetin në punë.
Jemi sot këtu për të folur pikërisht, për mënyrën sesi ne, në mënyrë shumë praktike, të thjeshtë, mund ta përdorim Inteligjencën Artificiale gjenerative dhe platformat që do të prezantohen, në mënyrën më të mirë të mundshme, duke na mundësuar që secili dhe secila nga ne, sado njohuri paraprake mund të kemi në lidhje me fushën, të mundet të marrin më të miren nga ky produkt,” u shpreh ministrja Pirdeni.
Përmes shembujve praktikë dhe interaktivitetit me të pranishmit në sallë, drejtoresha e Agjencisë së Inovacionit dhe Ekselencës Znj.
Enkelejda Imeraj njohu punonjësit e administratës me mënyrat më efektive për të përdorur platformat e Inteligjencës Artificiale si “Chat-GPT”, “Copilot” dhe “Gemini” por edhe me përgjegjësitë që shoqërojnë një risi të tillë, të cilat duhet të udhëhiqen nga etika, përgjegjshmëria dhe transparenca.
Një avantazh i shfrytëzimit të fuqisë që të fal teknologjia AI është mundësia për ta përshtatur përdorimin e saj me nevojat specifike në fusha të ndryshme në sektorin publik.
Qeveria shqiptare më parë ka nisur të pilotojë përdorimin e Inteligjencës Artificiale në harmonizimin në shqip të legjislacionit të Bashkimit Europian. Iniciativa të tilla sjellin përfitime sa më të prekshme në administratën publike.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co