Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, i bënë thirrje Kongresit amerikan që ta miratojë ndihmën e re ushtarake për Ukrainën, duke thënë se financimi është kritik për sigurinë e SHBA-së, Evropës dhe botës. Duke folur pas takimit në Departamentin e Shtetit, Blinken përsëriti thirrjet për ligjvënësit që ta zhbllokojnë ndihmën që presidenti Joe Biden kërkon prej muajsh, ndërsa Cameron tha se do ta kërkojë të njëjtën gjë gjatë takimeve që do të zhvillojë në Uashington.
“Unë vij këtu pa ndonjë qëllim që t’i jap leksione dikujt, apo t’i them dikujt se çfarë të bëjë… Unë, thjesht, vij këtu si mik dhe si besimtar i madh në këtë vend. Unë besoj se është thellësisht në interesin tuaj që t’i zhbllokoni ato para”, tha Cameron. Zyrtarë të shumtë të huaj u kanë kërkuar ligjvënësve amerikanë që të veprojnë me shpejtësi për të miratuar ndihmën për Ukrainën. Javën e kaluar në Bruksel, pothuajse të gjithë ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s kanë thënë se kontributi i SHBA-së është thelbësor.
Paketa e re e ndihmës për Ukrainën, në vlerë prej 60 miliardë dollarësh, ka muaj që është bllokuar në Kongresin amerikan, kryesisht për shkak të ligjvënësve republikanë që janë pro ish-presidentit Donald Trump. Ky i fundit pritet të garojë sërish për president në zgjedhjet e nëntorit dhe ka shprehur vazhdimisht rezerva për ndihmën që i jepet Ukrainës, e cila lufton kundër pushtimit rus.
Në një intervistë dhënë Televizionit Fox News në fillim të këtij muaji, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, ka thënë se ai do që ndihma e re për Ukrainën të miratohet “tani” dhe ka thënë se do të propozojë një paketë shpejt, pasi që Kongresi të kthehet nga pushimet, më 9 prill. Johnson, aleat i Trumpit, ka thënë se propozimi i tij do të përfshijë “risi të rëndësishme”, por nuk i ka përshkruar ato. Paketa që mbetet e bllokuar, parasheh fonde kryesisht për armë dhe pajisje të tjera ushtarake.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co