Parlamenti Evropian do të votojë sot mbi ligjet e reja gjithëpërfshirëse në lidhje me emigracionin.
Ylva Johansson, komisionerja e punëve të brendshme e cila ishte edhe një nga nxitëset më të mëdha të këtij legjislacioni, tha se me reformat që synojnë menaxhimin e migracionit, Unioni po bënte një hap drejt neutralizimit të së djathtës ekstreme populiste.
Por paketa e ligjeve mbetet e diskutueshme edhe mes politikanëve mbështetës. Kritikët thonë se ligjet e reja nuk bëjnë asgjë për të ndaluar numrin gjithnjë në rritje të vdekjeve në rrugët e migrimit drejt BE.
“Kjo është një përshtatje e asaj që e djathta ekstreme ka kërkuar prej vitesh. A mund të gjejmë diçka edhe më çnjerëzore? Po merren disa nga praktikat më të këqija në BE dhe po e institucionalizon atë”, tha eurodeputetja suedeze Malin Björk.
Në prag të votimit, përfaqësuesit e 161 organizatave të shoqërisë civile u bënë thirrje eurodeputetëve të refuzojnë legjislacionin, duke thënë se ai ka qenë me probleme që në fillim.
Stephanie Pope, eksperte e Oxfam për migracionin në BE, tha se paketa kishte të bënte pak me të drejtat e njeriut të njerëzve të cilët detyrohen të emigrojnë si pasojë e kushteve dëshpëruese në vendet e tyre, dhe kishte të bënte me shumë me parandalimin dhe dëbimin e tyre.
“Legjislacioni, i cili vjen në votim dy muaj përpara zgjedhjeve evropiane në qershor, është shumë politik dhe i bazuar në zero prova”, shtoi ajo.
Paketa e gjerë e ligjeve, e propozuar për herë të parë në vitin 2018, është projektuar për të përshpejtuar proceset e azilit, duke përcaktuar një afat prej vetëm 12 javësh.
Ligjet do të prezantojnë gjithashtu një sistem të unifikuar të kontrollit qendror në të gjitha pikat në kufirin e jashtëm të BE-së, si dhe një mekanizëm “solidariteti” të kërkuar nga Greqia dhe Italia për të lejuar vendet e mbingarkuara, që proceset e azilit të zhvendosen në një shtet tjetër anëtar.
Nëse miratohet, legjislacioni do të krijojë gjithashtu Eurodac, një bazë të dhënash qendrore që do t’i lejojë vendet anëtare të shohin nëse dikush ka aplikuar për azil në një vend tjetër.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co