Grupi palestinez Hamas këmbëngul se nuk do të pajtohet me lirimin e pengjeve pa tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza dhe kthimin e palestinezëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre në të gjithë enklavën. “Nuk ka asnjë lëshim për tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza dhe kthimin e lirë të njerëzve të zhvendosur në zonat e tyre përgjatë Rripit të Gazës”, tha Izzat Al-Rishq, një anëtar i byrosë politike të Hamasit.
“Një armëpushim i përhershëm është garancia e vetme për të mbrojtur popullin tonë dhe për të ndaluar gjakderdhjen dhe masakrat”, shtoi ai.
Al-Rishq paralajmëroi se Izraeli kërkon “një marrëveshje të përkohshme (armëpushimi)” për të liruar pengjet e tij dhe më pas për të rifilluar “luftën dhe gjenocidin”. Të shtunën, Hamasi tha se i dorëzoi Egjiptit dhe Katarit përgjigjen e tij për armëpushimin e propozuar në Gaza me Izraelin dhe përsëriti kërkesat e tij për një armëpushim të përhershëm, tërheqjen e ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës, kthimin e të zhvendosurve, si dhe lejimin e më shumë ndihmave humanitare në enklavë.
Izraeli ka vrarë rreth 33.800 palestinezë që nga një sulm ndërkufitar i 7 tetorit 2023 nga Hamasi, në të cilin autoritetet izraelite thonë se janë vrarë rreth 1.200 izraelitë dhe janë kapur rreth 250 pengje.Në një marrëveshje të mëparshme në nëntor u liruan 81 izraelitë dhe 24 të huaj në këmbim të 240 palestinezëve, duke përfshirë 71 gra dhe 169 fëmijë.
SHBA, Katari dhe Egjipti që atëherë janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbetura izraelite. Konflikti ka shtyrë 85 për qind të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar. Thirrjet globale për një armëpushim janë rritur ndërsa lufta ka hyrë në muajin e saj të shtatë.
(A.A/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co