Anëtari i Kryesisë së PD-së Enno Bozdo, në një deklaratë për mediat u shpreh se Rilindja po shkatërron zemrën e Myzeqesë.
Bozdo theksoi se Bashkia Socialiste e Roskovecit ka dhënë 20 hektarë tokë bujqësore për një TEC ndotës. Sipas tij, ky TEC është dhënë kundër nevojave të banorëve.
DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, ENO BOZDO:
Bashkia socialiste e Roskovecit kërkon që rreth 20 hektarë tokë bujqësore publike t`ia dorëzojë një kompanie private, për ndërtimin e një TEC-i. Bëhet fjalë për një zonë në zemër të Myzeqesë, që i merret komunitetit dhe i dorëzohet privatit!
Në të vërtetë ky nuk është thjesht një projekt lokal. Një vepër e tillë e madhe energjetike ka ndikim në të gjithë Shqipërinë dhe si e tillë duhet të trajtohet me shume vëmendje, për të përcaktuar qartë cili është interesi publik i yni, veçanërisht i banorëve dhe fermerëve të zonës së Myzeqesë, e cila preket e tëra nga ndërtimi i një vepër të tillë.
Legjislacioni shqiptar e qartëson se mendimi i komunitetit vendor është shumë i rëndësishëm. Për më tepër, për një investim të tillë që sjell me vete pashmangshmërisht ndotjen e mjedisit, përfitimet e Shqipërisë duhet të jenë të qarta dhe të matshme.
E gjithë kjo aferë ka disa pikëpyetje të mëdha:
* Përse qeveria Rama, preferon të licencojë një TEC privat përpara se të vërë në funksion TEC publik të Vlorës, i cili mund të furnizohet fare mirë me gazin e TAP?
* Çfarë përfiton Shqipëria dhe veçanërisht komuniteti fermer i Myzeqesë nga ky projekt? Nuk ka asnjë garanci që energjia e prodhuar do të mbetet në Shqipëri-veçanërisht në raste krizash energjetike, si dhe është shumë e qartë se fermerët e Myzeqesë, nuk përfitojnë asgjë tjetër vec ndotjes
* Përse Bashkia Socialiste e Roskovecit nuk ka bërë dëgjesa më fermerët e Myzeqesë, fermat dhe prodhimi i të cilëve, pa asnjë përjashtim, do të preken nga ndotja e këtij termocentrali?
Përkundrazi, sipas relacionit të vetë Bashkisë Socialiste, pasi pranohet fakti se kemi të bëjmë me tokë bujqësore ku nuk lejohen ndërtimet, thuhet shprehimisht se vendndodhja është zgjedhur e tillë për shkak të afërsisë me gazsjellësin TAP.
Pra, Bashkia Socialiste qenka shumë e vëmendshme për nevojat dhe interesin e investitorit privat, por nuk do t`ia dijë për fermerët dhe banorët e Myzeqesë, të cilët prodhimin bujqësor e kanë të vetmen mundësi për të mbijetuar.
Partia Demokratike nuk është kundër investimeve private, aq më tepër në fushën e energjisë. Madje ajo ka mbështetur me shumë forcë investimet private në fushën e energjisë së rinovueshme, me ndotje zero për mjedisin. Por në rastin konkret, investitori që ndot merr gjithçka që dëshiron, ndërsa komuniteti dhe shqiptarët nuk përfitojnë asgjë veç ndotjes së mjedisit.
Bashkia Socialiste e Roskovecit e di mirë këtë gjë. Edi Rama e di mirë gjithashtu. Ndoshta është e tepërt të kërkosh nga socialistët, në çdo nivel qeverisës së tyre, ruajtjen e interesit publik. Veçanërisht kur skandalet e grabitjes së parasë publike shpërthejnë çdo ditë, njëri më i rëndë se tjetri.
Por ne kemi të drejtë t`i kërkojmë fermerëve dhe banorëve të Myzeqesë të ngrihen për të drejtat e tyre, për dinjitetin e tyre, për ekonominë e tyre, ashtu siç po ngrihen banorët e Tiranës kundër grabitjes së parave të tyre nga Erjon Veliaj.
Ne kemi detyrimin t`u kërkojmë shqiptarëve bashkim kombëtar për t`i bërë ballë kësaj te keqeje të madhe, këtij regjimi grabitës dhe asfiksues për vendin. Partia Demokratike do t`i prijë revoltës popullore!
Prandaj O sot, O kurrë për të mbrojtur interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve!
(Balkanweb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co