Perëndimi po përpiqet të shkëpusë vëmendjen nga situata në Rripin e Gazës me pretendimet për ambicie bërthamore të Iranit, tha ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov. “Dëshira dhe qëllimi, më duket mua, është të largohet vëmendja e komunitetit botëror nga ajo që po ndodh në Rripin e Gazës, ku po ndodh një fatkeqësi humanitare dhe shumë raportues specialë të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut po flasin tashmë për gjenocid”, tha ai në një intervistë.
Lavrov theksoi se pavarësisht konfirmimit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike se Irani nuk posedon armë bërthamore, Perëndimi vazhdon të akuzojë Iranin për përdorimin e tyre. “Irani është vendi më i inspektuar i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”, theksoi ai. Ministri i Jashtëm rus ia atribuoi mungesës së zgjidhjes së problemit palestinez përshkallëzimin aktual midis Iranit dhe Izraelit si dhe kompleksitetin në Lindjen e Mesme, në aspektin e terrorizmit dhe ekstremizmit.
“Situata është shumë e keqe, ne duam t’i jepet fund dhunës, duam zgjidhje të problemeve humanitare dhe, para së gjithash, arabët duhet të marrin iniciativën, me mbështetjen e të gjitha forcave të arsyeshme, për të marrë në duart e tyre çështjen për krijimin e një shteti palestinez”, tha kryediplomati rus. Ai vuri në dukje se Moska i ka përcjellë Tel Avivit se Teherani nuk dëshiron të përkeqësoje tutje situatën.
“Ka pasur kontakte telefonike midis lidershipit të Rusisë dhe Iranit, përfaqësuesve tanë dhe izraelitëve. Ne e kemi bërë shumë të qartë në këto biseda dhe i kemi përcjellë izraelitëve se Irani nuk dëshiron përshkallëzim”, tha Lavrov. Sipas raportimeve, Izraeli kreu në mëngjes një sulm në Iran. Teherani tha se nuk kishte dëme dhe se rrëzoi tre dronë mbi Isfahan. Tensionet u përshkallëzuan pas sulmit hakmarrës të Iranit ndaj Izraelit pas një sulmi kundër kompleksit të tij diplomatik në Siri.
(A.A/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co