Në sezonet e fundit Partizani nuk është kursyer për të afruar lojtarë në Shqipëri dhe Kosovë, kudo ku kanë spikatur me skuadrat e tyre. Një pjesë të lojtarëve “demat” i kanë blerë për shuma të konsiderueshme, ndërsa të tjerë kanë ardhur si lojtarë të lirë apo në formën e huazimit, siç është rasti i Skukës në janar.
Që nga vera në klubin e kuq janë afruar plot 13 lojtarë, teksa vetëm 4 prej tyre janë sulmues. Në këtë listë përfshihen edhe Bintsuka dhe Keko, transferimi i të cilëve është kryer më herët sesa në verë. Klubi i kuq e pati huazuar te Drenica pa luajtur asnjë minutë kongolezin, ndërsa për Kekon marrëveshja qe arritur që në janar 2023.
GOLAT – Lojtarët e transferuar që nga vera e shkuar kanë shënuar së bashku 17 gola nga 41 gjithsej që numëron Partizani në këtë sezon në Kategorinë Superiore. Natyrshëm lojtarët që janë aty prej sezonesh kanë peshë më të rëndë, por duhet të pranojmë edhe se lojtarët e bashkuar me skuadrën në verë dhe në janar kanë arritur të kenë një impakt mjaft të rëndësishëm në skuadër, duke shënuar 41.5% të golave në total.
Ata kanë kontribuar edhe me shtatë asiste. Praktikisht, golashënuesi më i mirë i skuadrës, Arkonzh Bintsuka (8), është një lojtar i bashkuar në verë me ekipin. Një impakt mjaft pozitiv kanë arritur të kenë edhe Keko dhe Skuka, i cili u rikthye në janar në shtëpinë e kuqe. Golin e kanë gjetur edhe dy mesfushë, Adnard Mehmeti (2) dhe Gjelbrim Taipi (1).
SHPENZIMET – Edhe në verën e shkuar Partizani u konfirmua si skuadra që shpenzoi më shumë për të blerë lojtarë. Të kuqtë paguan plot 185 mijë euro për afrimet e futbollistëve. Më i shtrenjti ishte Adnard Mehmeti, që u ble për 100 mijë euro nga Erzeni. Për Kekon u paguan rreth 50 mijë euro te Korabi, teksa edhe Bytyçi kushtoi rreth 35 mijë euro për ta liruar nga taksa e formimit te Kukësi.
Duke përllogaritur totalin e harxhuar në raport me golat në total të blerjeve, mund të themi se Partizanit i kushton rreth 11 mijë euro një gol, më shumë se çdo klub tjetër në Superiore. Është fakt se tre nga pesë golashënuesit kanë ardhur falas në skuadër. Bëhet fjalë për Bintsukën, Skukën dhe Taipin.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co