Në 100 vjetorin e themelimit të klubit, qyteti i Peqinit, por mbi të gjitha klubi i Shkumbinit, merr një dhuratë të çmuar nga FSHF, nisjen e punimeve për rikonstruksionin e kompleksit stërvitor, një investim madhor që nis të marrë formë pas një periudhe të gjatë. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe presidenti i FSHF-ës, Armand Duka, i cili shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të realizuar këtë projekt, por dhe projekte të tjera në të ardhmen, për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit në këtë qytet që aq shumë e dashuron futbollin:
“Gjithmonë jam shumë i kënaqur kur jam në ceremoni të tilla për investime në futboll e aq më shumë për investime në zhvillimin e futbollit të fëmijëve. Në Peqin jam akoma më i kënaqur. Lexohet në fytyrat e atyre që kam takuar dëshira dhe dashuria që ka Peqini për futbollin.
Si në të gjitha projektet padyshim me shumë dëshirë FSHF do të mbështes nga fondet e saj këtë projekt. Ka kohë që kemi filluar të bisedojmë dhe më vjen mirë që tani po bëhet realitet. E kemi filluar këtë bisedim me Lorencin, ish-Drejorin e klubit për t’i bërë këto fusha këtu. Ka pasur disa probleme dhe uroj që të jenë zgjidhur.
Tre gëzime në një ditë dhe nuk mundem të mos e përmend historinë sepse është shumë e rëndësishme. Në këtë qytet është luajtur futboll që në vitet e para të futbollit në Shqipëri. 100 vjet klub është vërtetë shumë, është një nga klubet më tradicionale. Futbollistët që kanë derdhur djersë ndër vite në klubin e Shkumbinit që janë shumë, besoj që janë të gëzuar pasi kur ky kompleks të marri jetë do të shohin fëmijët në kushte ideale për të ushtruar sportin e tyre të zemrës.
Ju uroj shumë suksese të gjithëve, kryesisht fëmijëve që janë këtu sot. Futbolli është një nga sportet më edukative dhe përveç shëndetit nëpërmjet futbollit këta fëmijë do të jenë më të disiplinuar, do të kenë frymën e skuadrës, më shumë virtyte që do t’i duhen nesër në jetë.
Dua t’ju falënderoj shumë për iniciativën dhe t’ju shpreh edhe njëherë gatishmërinë dhe respektin maksimal të FSHF-së për ta bërë së bashku këtë projekt dhe projekte të tjera. Ju uroj shumë suksese” – tha Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co