Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla ka akuzuar Listën Serbe dhe Beogradin zyrtar për bojkot me qëllim të sabotimit të procesit të votimeve sot në katër komunat e veriut të Kosovës.
“Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tash, përmes formave të ndryshme të udhëzuar nga Beogradi bojkotoi e sabotoi procesin demokratik si mundësi për të çuar komunat në zgjedhje të reja. Ky subjekt i mishëruar me metoda jodemokratike nuk e gjen assesi veten te një proces kaq demokratik”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Ai përgëzoi institucionet e sigurisë për përmbyllën e kësaj ditë pa asnjë incidente.
“Republika e Kosovës i dha mundësinë qytetarëve të katër komunave veriore që sot të vendosin për kryetarët e katër komunave të tyre. Komisioni Qendror Zgjedhor në bashkëpunim me institucionet tjera edhe njëherë dëshmoi përkushtim në zbatimin e mandatit të tij dhe respektimin e plotë të të drejtës së qytetarëve për të vendosur për të ardhmen e tyre. Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për qytetarët tanë pavarësisht dallimeve, institucionet tona do të jenë në shërbim të të gjithëve dhe për sigurinë e vendit tonë. Kosova është Republikë demokratike, e gjithë qytetarëve pa dallim”, ka përfunduar Sveçla.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se nisma për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve. Në procesin e sotëm të votimit kanë marrë pjesë vetëm 253 persona.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co