Partizani ka vijuar dje përgatitjet për derbin e së dielës, që duhet thënë se do ta gjejë shumë më të freskët se kundërshtari për shkak se Tiranës iu desh dje të luante gjysmëfinalen e Kupës, ku u eliminua nga Kukësi.
Trajneri Orges Shehi i ka të gjithë lojtarët të gatshëm, çka është një tjetër avantazh për skuadrën e kuqe, që për këtë ndeshje ka arritur të rikuperojë Andi Hadrojn. Por siç dihet, David Atanaskoski do të jetë vetëm një tifoz në këtë derbi, sepse ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë dhe do të jetë i pezulluar. Dje skuadra ka kryer stërvitjen e radhës, ku përveç aktivitetit të zakonshëm, disa nga lojtarët u vendosën edhe mes shtyllave për të testuar aftësitë e tyre si portierë.
Më së shumti ky moment ishte për të ulur ngarkesën dhe tensionin që mbizotëron në këtë fund sezoni. Sa i përket formacionit, nuk pritet që Shehi të bëjë shumë ndryshime nga ndeshja e fundit me Dinamon, nisur nga fakti që gjërat shkuan siç duhej. Buxhelaj me shumë mundësi do të luajë në vend të Atanaskoskit. Dilema e vetme është sulmi, aty ku Skuka dhe Mba janë në balotazh për një vend. Skuadra e kuqe prej 10 ditësh stërvitet me dyer të mbyllura, duke eliminuar çdo kontakt me mediat apo tifozët që kërkojnë t’i shohin në stërvitje.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co