Ambasadori i SHBA në Prishtinë: Qeveria e Kosovës duhet të lëvizë përpara me Asociacionin, të çojë në Gjykatë Kushtetuese drafin

ambasadori i shba ne prishtine qeveria e kosoves duhet te levize perpara me asociacionin te coje ne gjykate kushtetuese drafin































Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se shteti i tij beson se për Kosovën është urgjente që të lëvizë përpara me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Hovenier

Gjatë një interviste për transmetuesin publik të Kosovës, Hovenier tha se Kosova ka shumë miq që duan ta shohin shtetin pjesë të organizatës të Këshillit të Evropës dhe të shfaqë përkushtimin për të drejtat e pakicave dhe të drejtave të njeriut.

“Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë, është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën”, tha Hovenier.

Kosova dështoi të futej në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës të mbajtur në mes të majit në Strasburg, pasi shtetit iu vendos kusht që të lëvizte përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Një ditë para takimit në Strasburg, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, përmes një letre njoftoi Këshillin e Evropës se Kosova synon që të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të majit, në këmbim të pranimit të shtetit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

Por, në letrën e Gërvallës thuhej se draft-statuti do të frymëzohej nga një draft i prezantuar kohë më parë nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.

Hovenier tha se me sa e kupton ai, kjo ofertë e Gërvallës më nuk është e vlefshme, ndërkaq sa i përket se çfarë draft-statuti duhet Kosova të dërgojë në Kushtetuese, ambasadori amerikan tha:

“Lidhur me pyetjen se cili draft dhe si dërgohet më tej, kjo është çështje e rëndësishme dhe padyshim që është një zgjedhje sovrane e Qeverisë së Kosovës se çfarë statuti zgjedh të hartojë dhe si e çfarë do të kërkojë të miratojë apo dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Por, do të them se drafti i ofruar nga Bashkimi Evropian – ky draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme”.

Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.

Po vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e raporteve, që parasheh edhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog.

Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.

Megjithatë, Kosova deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.

Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →