Stoltenberg, i bindur në aftësitë e Ukrainës për ta mbrojtur Kharkivin: E drejta për vetëmbrojtje përfshin…

stoltenberg i bindur ne aftesite e ukraines per ta mbrojtur kharkivin e drejta per vetembrojtje perfshin

Madhësia e tekstit:



Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thotë se tani është më i bindur që Ukraina mund ta mbrojë me sukses qytetin e vet lindor, Kharkiv, pasi aleatët e aleancës ushtarake i dhanë asaj leje t’i përdorë armët e tyre për disa sulme brenda Rusisë.

stoltenberg

Stoltenberg tha për Radion Evropa e Lirë se ky ndryshim, të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e konfirmuan më 31 maj, është “i ligjshëm”, sepse Ukraina po e mbron veten, posaçërisht në qytetin Harkiv, i cili ndodhet vetëm 35 kilometra larg kufirit të Ukrainës me Rusinë.

Harkivi është përballur me sulme të përditshme të pareshtura prej se Rusia e nisi një ofensivë të re para tri javëve.

Deri tani, ushtria ukrainase nuk ka qenë në gjendje t’i godasë me armë perëndimore forcat ruse – të cilat janë mbledhur në territorin rus pranë kufirit ukrainas – për shkak se SHBA-ja dhe disa aleatë të tjerë perëndimorë të Ukrainës shqetësoheshin se ato do ta përshkallëzonin luftën.

“E drejta për vetëmbrojtje përfshin edhe të drejtën për t’i goditur caqet në territorin e agresorit. Dhe, pikërisht këtë duhet të jetë në gjendje ta bëjë Ukraina”, tha Stoltenberg në një intervistë për REL-in në margjinat e takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë.

Stoltenberg theksoi se do të ishte shumë e vështirë nëse bateri artilerish, bateri raketash dhe fusha ajrore në anën ruse vazhdojnë të jenë “të sigurta për rusët”, vetëm sepse Ukrainës i ndalohej t’i përdorte kundër tyre armët me të cilat e furnizojnë aleatët e NATO-s.

“Prandaj, e mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për lehtësimin e kufizimeve dhe që e kanë bërë të qartë se, natyrisht, Ukraina ka të drejtë të vetëmbrohet”, shtoi ai.

Shefi i aleancës ushtarake tha se NATO-ja është e gatshme t’i japë Ukrainës mbështetje që i nevojitet për të triumfuar dhe për ta “ndalur pushtuesin rus”.

Aleatët e NATO-s do ta furnizojnë atë me më shumë armë dhe municione, tha ai, duke shtuar se “prandaj, unë jam i bindur se Ukraina mund të triumfojë patjetër”.

I pyetur posaçërisht për lajmet se ka mungesë të kundërajrorëve në krahun lindor të NATO-s, Stoltenberg tha se NATO-ja është e gatshme dhe në gjendje t’i mbrojë të gjithë aleatët e NATO-s dhe se është pajtuar për plane të reja për mbrojtjen.

“Ne i kemi rritur synimet, sepse ne jetojmë në një botë më të rrezikshme. Prandaj, nevojiten më shumë investime për t’i plotësuar kërkesat që vijnë nga planet e reja të mbrojtjes. Këtu përfshihet edhe investimi i shtuar në mbrojtjen ajrore”, nënvizoi ai.

Ai e përmendi një marrëveshje për t’i blerë apo për t’i futur në përdorim 700 apo më shumë avionë luftarakë të gjeneratës së pestë, të cilët do ta forconin mbrojtjen ajrore.

Kontraktuesi amerikan i mbrojtjes, Lockheed Martin, është pajtuar ta ndërtojë një fabrikë të re për prodhimin e raketave për kundërajrorët Patriot në Gjermani, ndërsa Polonia dhe aleatët e tjerë po blejnë “sasi të mëdha të sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore”.

Tani më shumë aleatë po e rrisin prodhimin, shtoi ai, “prandaj do të ketë më shumë, dhe ne po investojmë shumë, përfshirë në mbrojtjen ajrore”.

Anëtarët e aleancës kanë qenë nën trysni për vite për t’i rritur shpenzimet në mbrojtje, pasi para më shumë se një dekade u pajtuan për ta rritur atë në 2 për qind të GDP-së së tyre.

Stoltenberg tha në intervistë se para pak vitesh, vetëm më pak se 10 vende e plotësonin pragun prej 2 për qind të GDP-së. Prej shkurtit, numri i vendeve është rritur në 18 dhe pritet të rritet edhe më shumë, sipas tij.

© Panorama.al









Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →