Deputeti demokrat Dashnor Sula është shprehur përmes një reagimi në rrjetet sociale se konflikti për Partinë Demokratike nuk duhet të mbahet ndezur, pasi kjo e fundit sipas tij nuk i përket vetëm dy individëve, por është një aset kombëtar.
Ai shtoi se mbajtja e konfliktit ndezur është egoizëm dhe luftë për interesa personale.
Sipas tij tani që çështja e vulës u vendos nga gjykata, demokratët që mbështesin aderimin e tyre te vula dhe logo e PD, nuk duhet të kenë më pikëpyetje se kush është kryetari legjitim.
Reagimi i plotë:
Konflikti për PD nuk duhet mbajt ndezur.
Partia Demokratike nuk i përket vetëm dy individëve. PD është aset kombëtar. Pas më shumë se dy viteve rrugëtim në gjykatat e vendit, tashmë ka një vendim të formës së prerë.
Për shkak të konfliktit të dy nga personave më të pushtetshëm në PD, qeveria përjetoi një tjetër mandat komod pa shumë shqetësime nga ana e opozitës.
E kam thënë edhe më herët që konflikti në PD do duhej të ishte zgjidhur nga dy personat përgjegjës që e krijuan këtë konflikt në mënyrë politike dhe jo në gjykatë por askush nuk vuri interesat e demokratëve para egos së vetë.
Kjo nuk ndodhi, dhe tani kemi një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit. Me rëndësi është që teksa kemi hyrë në vitin elektoral, asnjëri nga dy shkaktarët e konfliktit nuk duhet ti “fryjë zjarrit” për të mbajtur konfliktin ndezur e për rrjedhojë tia japë fitoren në tavolinë mazhorancës aktuale.
Ata demokratë që e kanë të lidhur militimin e tyre në parti duke u mbështetur te logoja e PD meritojnë të fokusohen vetëm në qëllimin parësor për ti ofruar shqiptarëve një alternativë. Në këtë këndvështrim mbajtja e kobfliktit ndezur është egoizëm dhe luftë për interesa personale.
Tani që çështja e vulës e bëri një raund në të gjitha hallkat e gjyqësorit, çdokush që beson tek parimet dhe tek programet, duhet të krijojë formacionin e tij dhe të vijojë betejën e tij. Demokratët që e mbështesin aderimin e tyre te vula dhe logo e PD, nuk duhet të kenë më pikëpyetjet se kush është kryetari legjitim .
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co