Drejtori i Policisë Vendore Tiranë, Tonin Vocaj, në një konferencë për shtyp ka dhënë detaje në lidhje me një operacion të forcave të rendit, ku u sekuestrua një sasi e madhe lënde eksplozive e cila vinte nga Kosova.
Ai ka bërë me dije se eksplozivi ishte i destinuar të përdorej nga grupet kriminale, ndërsa tha se u arrestuar edhe tre persona dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, të gjithë të kombësisë kosovare.
“Armë dhe lëndë eksplozive në drejtim nga Kosova në Shqipëri. Në urën e Gjoles u arrestuan tre persona; Real Zefi, 33 vjeç, banues në Shkodër; Korrado Katana, 33 vjeç, banues në Durrës dhe Eno Flamuraj, 36 vjeç, banues në Korçë si dhe u shpallën në kërkim edhe dy persona të tjerë me shtetësi kosovare.
203 kallëpe tritol me peshë 46 kilogram e destinuar të përdorej nga grupe të ndryshme kriminale. Sekuestrohen edhe 3 celularë dhe një automjet”, tha ai.
NJOFTIMI I PLOTE
Jam sot këtu, së bashku me prokurorin, z. Ritvan Suka, zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, zëvendësdrejtorin për Sigurinë Publike, shefin e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, shefin e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe shefin e Komisariatit të Policisë Nr. 2, për të bërë prezente rezultatet e 2 operacioneve të zhvilluara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”. Gjatë këtyre 2 operacioneve u godit një rast i trafikimit të lëndëve eksplozive, u sekuestrua një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive, si dhe u dokumentua me prova ligjore, ngjarja e ndodhur në rrugën “Perlat Rexhepi”, ku iu vendos lëndë plasëse një zyre noteriale.
Për të dyja rastet, autorët janë vënë në pranga. Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, i DVP Tiranë, pas një pune hetimore 4-mujore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përdorur metoda speciale të hetimit, bëri të mundur goditjen e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.
Si rezultat i mirorganizmit të punës në kuadër të operacionit policor të koduar “THE SAME”, më datë 04.02.2024, në afërsi të urës së Gjolës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkelqim Halabaku, 27 vjeç, të tre banues në Gjilan. Në kuadër të këtij hetimi, u shpallën në kërkim edhe 2 shtetas kosovarë.
Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan 203 kallëpe me lëndë plasëse të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg. Kjo sasi ishte destinuar për t’u përdorur nga grupe kriminale të ndryshme, në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar edhe 3 celularë dhe 1 automjet. Më parë, në kuadër të këtij procedimi janë zhvilluar 2 operacione, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë sekuestruar 4 armë zjarri pistoleta, së bashku me krehra dhe municione luftarake, të cilat janë trafikuar nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Po më datë 04.02.2024, nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2, u finalizua operacioni policor i koduar “POROSIA”, në kuadër të të cilit u dokumentua me prova ligjore ngjarja e ndodhur më datë 30.01.2024, në një zyrë noteriale në rrugën “Perlat Rexhepi”, ku ka shpërthyer lëndë plasëse.
Në kuadër të këtij operacioni, u ndaluan shtetasit:
1. Real Zefi, 33 vjeç, banues në Shkodër;
2. Korrado Katana, 33 vjeç, banues në Durrës;
3. Eno Flamuraj, 36 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu u shpallën ne kërkim 2 shtetas. Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 30.01.2024, kanë vendosur sasi lënde plasëse në një zyrë noteriale dhe pas ngjarjes, autorët kanë lëvizur me motomjetin e shtetasit Eno Flamuraj. Më pas, motomjetin e kanë braktisur në liqenin e Farkës dhe pas kësaj janë larguar me automjetin tip “Audi”, të shtetasit Korrado Katana. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 05.10.2023, në rrugën “Prokop Mima”, ku në lokalin e shtetases Sh. Gj., është vendosur një sasi lënde eksplozive. Nga veprimet hetimore të deritanishme ka rezultuar se këta shtetas e kanë vendosur lëndën eksplozive, kundrejt pagesës. Vazhdon puna hetimore dhe gjurmuese për zbulimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të porositësve. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, vijojnë punën intensive për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.
Siguroj qytetarët se strukturat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur çdo paligjshmërisë, për të garantuar rend e siguri, për të zbatuar me rigorozitet paketën e sigurisë në shkolla, dhe në këtë kuadër i riftoj qytetarët që të mbështetin më shumë Policinë dhe të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë dhe profesional.
(BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co