Mijëra francezë marshuan në Paris dhe qytete anembanë Francës të shtunën për të protestuar kundër partisë së të djathës së skajshme, Bashkimi Kombëtar (RN) përpara zgjedhjeve të ardhshme për parlamentin francez.
Pas fitores së Bashkimit Kombëtar në zgjedhjet e së dielës së kaluar për Parlamentin Europian, policia tha se 350,000 njerëz pritej të marshonin dhe 21,000 punonjës rendi u mobilizuan, pasi sindikatat e punës, grupet studentore dhe të drejtave të njeriut bënë thirrje për protesta kundër partisë që kundërshton emigracionin.
Të paktën 150 marshime priteshin në qytete si Marseja, Tuluza, Lion dhe Lil.
Në Paris, policia tha në protesta morën pjesë rreth 75,000 njerëz.
Sipas sindikatës Konfederata e Përgjithshme e Punës (CGT), që u citua nga televizioni BFM, 250,000 vetë marshuan në Paris dhe 640,000 gjithsej në të gjithë vendin. Policia tha se kishte arrestuar shtatë persona në Paris. Sipas të dhënave të organeve të rendit, rreth 217,000 demonstrues morën pjesë në protestat në të gjithë Francën.
Duke folur në sheshin “Place de La Republique”, udhëheqësja e sindikatës CGT Sophie Binet u tha gazetarëve se “ne po marshojmë sepse jemi jashtëzakonisht të shqetësuar se (kryetari i të djathës së skajshme) Jordan Bardella mund të bëhet kryeministri i ardhshëm… Ne duam ta parandalojmë këtë fatkeqësi “, u shpreh ajo.
Carol-Ann Juste, studente 22-vjeçare që marshoi në Paris, tha se ishte hera e parë që merrte pjesë në një protestë. Ajo tha se donte të “luftonte për të bërë të mundur që Franca të vazhdonte të ishte një vend i të drejtave të njeriut, lirisë dhe tolerancës”.
QEVERIA E ARDHSHME
Në të njëjtin marshim, Cecilia Lormeau, mësuese 34-vjeçare e cila tha se ka në plan të votojë për Frontin Popullor, një aleancë e partive të krahut të majtë, tha se “është e rëndësishme të tregojmë se jemi të mobilizuar dhe se Bashkimi Kombëtar nuk përfaqëson shumicën e popullit”.
Presidenti Emmanuel Macron thirri zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen në dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik, pasi aleanca e tij e qendrës u mposht nga Bashkimi Kombëtar në votimet për Parlamentin Evropian të dielën e kaluar.
Sipas një ankete të fundit nga “OpinionWay-Vae Solis” të publikuar të shtunën, Bashkimi Kombëtar pritet të fitojë zgjedhjet me rreth 33% të votave, por jo të mjaftueshme për të formuar e vetme një qeveri. Fronti Popullor pritet të marrë 25 për qind të votave ndërsa partia e zotit Macron mund të sigurojë rreth 20 për qind të votave./VOA
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co