Izraeli ndalon luftimet gjatë ditës për të mundësuar hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza

izraeli ndalon luftimet gjate dites per te mundesuar hyrjen e ndihmave humanitare ne gaza
izraeli ndalon luftimet gjate dites per te mundesuar hyrjen e ndihmave humanitare ne gaza

Ushtria tha se pauza u vendos pas diskutimeve me Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës.

Por, agjencitë e ndihmës, përfshirë OKB-në, nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.

Pauza përgjatë rrugës jugore po ndodhë ndërsa Izraeli dhe Hamasi po peshojnë propozimin e fundit për një armëpushim, një plan që u shpalos me hollësi nga presidenti Joe Biden, në përpjekjen më të përqendruar diplomatike të administratës për ndalimin e luftimeve dhe lirimin e pengjeve të marra nga grupi militant. Ndërsa presidenti Biden e përshkroi propozimin si një plan izraelit, Izraeli nuk e ka mbështetur plotësisht atë dhe Hamasi ka kërkuar ndryshime, që duken të papranueshme për Izraelin.

Fushata ushtarake e Izraelit kundër grupit militant Hamas, e nxitur nga sulmi i grupit me 7 tetor, e ka zhytur Gazën në një krizë humanitare, me OKB-në që raporton uri të përhapur dhe qindra mijëra njerëz në prag të urisë. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Izraelit të bëjë më shumë për të lehtësuar krizën dhe ka thënë se luftimet e vazhdueshme, përfshirë ato në Rafah, kanë ndërlikuar dërgesat e ndihmave gjatë gjithë luftës.

Nga 6 maji deri më 6 qershor, OKB-ja merrte mesatarisht 68 kamionë ndihma në ditë, sipas të dhënave nga zyra humanitare e OKB-së, e njohur si OCHA. Kjo sasi ishte më pak nga 168 kamionë në ditë në muajin prill dhe shumë më pak se 500 kamionë në ditë, që grupet e ndihmës thonë se nevojiten.

Rrjedha e ndihmave në Gazën jugore ra bashkë me rritjen e nevojave humanitare. Më shumë se 1 milion palestinezë, shumë prej të cilëve tashmë ishin zhvendosur, u larguan nga qyteti Rafah pas sulmit, duke u grumbulluar në pjesë të tjera të Gazës jugore dhe qendrore. Shumica tani lëngojnë në kampet me tenda të shkatërruara, duke përdorur llogoret si tualete, me ujërat e zeza që rrjedhin nëpër rrugë.

COGAT-i thotë se nuk ka kufizime për hyrjen e kamionëve. Ai thotë se më shumë se 8,600 kamionë të të gjitha llojeve, si ata me ndihma ashtu edhe ata tregtar, hynë në Gaza nga të gjitha vendkalimet nga 2 maji deri më 13 qershor, mesatarisht 201 në ditë. Por pjesa më e madhe e ndihmës është grumbulluar në vendkalime dhe nuk ka arritur në vend.

Një zëdhënës i COGAT-it, Shimon Freedman, tha se është faji i OKB-së që ngarkesat e saj u grumbulluan në anën e Gazës në Kerem Shalom. Ai tha se agjencitë kanë “probleme themelore logjistike që nuk i kanë zgjidhur” veçanërisht mungesën e kamionëve.

OKB-ja mohon akuzat e tilla. Ajo thotë se luftimet midis Izraelit dhe Hamasit shpesh e bëjnë shumë të rrezikshme që kamionët e OKB-së brenda Gazës të udhëtojnë në Kerem Shalom, i cili është afër kufirit me Izraelin.

Marrëveshja e re synon të zvogëlojë nevojën për bashkërendimin e dërgesave duke ofruar një dritare 11-orëshe të pandërprerë çdo ditë për kamionët, që të lëvizin brenda dhe jashtë vendkalimit.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ushtria do të ofrojë siguri për kamionët e ndihmës ndërsa ata lëviznin përgjatë autostradës./VOA

Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co

dsaadmin

Learn More →