Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka reaguar sot në konferencë për media ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi i cili tha javën e kaluar se “ka informacione që është rekomanduar heqja e masave nga BE-ja”.
Stano ka theksuar se raporti për hapat që ka ndërmarrë Kosova për përmbushjen e detyrimeve i është deleguar Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, nga Këshilli i BE-së, por që shtoi se s’është e nevojshme që dikush nga jashtë të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret e raportit.
“Kjo është një çështje institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është Përfaqësuesi i Lartë ai që do ta dërgojë raportin tek vendet anëtare. Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, ka theksuar Stano.
Sipas tij, raporti nga Borrell do të dërgohet fillimisht tek vendet anëtare, të cilat do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen e tij, para se të marrin vendimet e nevojshme.
“Kjo është diçka institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Kështu që nuk na duhet dikush nga jashtë që të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret. Do të bëhet në kohën e përshtatshëm për Përfaqësuesin e Lartë dhe vendet anëtare, që do të jenë të parat që do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo do të ndodhë, atëherë do t’i kumtojmë rezultatet. Nuk ka hapësirë dhe arsye për spekulime publike nga akterë të ndryshëm”, ka ka deklaruar Stano.
Të enjten e 13 qershorit, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se ka informacion që është rekomanduar heqja e masave nga BE-ja.
Në Komisonin për Integrime Evropiane, Bislimi tha se “përmbajtja e raportit është pozitive”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Raporti i z.Borrell është parakusht për trajtimin në KiE, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, është shprehur Bislimi.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co