Vizita e presidentit rus Vladimir Putin në Korenë e Veriut të martën dhe të mërkurën do të jetë provë e “varësisë” së Rusisë nga regjimet autoritare, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Kjo tregon shkallën në të cilën presidenti Putin dhe Moska janë tani të varur nga vendet autoritare në mbarë botën. Miqtë e tyre më të ngushtë dhe mbështetësit më të mëdhenj të përpjekjeve ruse të luftës, luftës së agresionit, janë Koreja e Veriut, Irani dhe Kina”, u tha shefi i NATO-s gazetarëve, duke nënvizuar gjithashtu se Rusia tani po “shkel sanksionet” ndaj Koresë së Veriut.
Kujtojmë se kjo është vizita e parë e Putin në Korenë e Veriut në 24 vitet e fundit. Vizita vjen në një periudhë shqetësimesh të shtuara ndërkombëtare rreth një marrëveshjeje armësh përmes të cilës Pheniani e furnizon Moskën me armatime shumë të nevojshme për luftën e zotit Putin në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe teknologjisë që do të shtonte kërcënimin që bart programi i armëve dhe raketave bërthamore të zotit Kim.
Bashkëpunimi ushtarak, ekonomik dhe në fusha të tjera ndërmjet Koresë së Veriut dhe Rusisë është rritur dukshëm që kur zoti Kim vizitoi Lindjen e largët ruse në shtator për të takuar zotin Putin, takimi i tyre i parë që nga viti 2019.
Zyrtarët amerikanë dhe të Koresë së Jugut akuzojnë Korenë e Veriut se po furnizon Rusinë me artileri, raketa dhe pajisje të tjera ushtarake, duke e ndihmuar të zgjasë luftën në Ukrainë, me gjasë në këmbim të ndihmës dhe teknologjisë thelbësore ushtarake. Pheniani dhe Moska i kanë mohuar akuzat për furnizim me armatime, gjë që përbën një shkelje të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co