Federata Evropiane e Futbollit (UEFA), njoftoi më 17 qershor për procedura disiplinore dhe hetim të mëtejmë për sjelljen e tifozëve serbë gjatë ndeshjes Serbi-Angli, në kuadër të Kampionatit Evropian të Futbollit, EURO 2024.
Kampionati filloi të premten më 14 qershor dhe do të përfundojë me ndeshjen finale më 14 korrik.
Ndeshjet do të zhvillohen në 10 stadiume në 10 qytete të ndryshme të Gjermanisë.
UEFA tha se akuzat disiplinore kundër Federatës së Futbollit të Serbisë përfshinin hedhjen e gjësendeve dhe “transmetimin e një mesazhi provokues të papërshtatshëm për një ngjarje sportive”.
Ndërkohë, hetimi përfshin pretendimin për “sjellje diskriminuese”.
Ndërkaq të hënën, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se ka reaguar zyrtarisht në UEFA për siç ka thënë shfaqjen e flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me “mesazhe politike, shoviniste dhe raciste kundër Kosovës”.FFK-ja ka kërkuar që ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, të merren masa të ashpra disiplinore.
“Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si EURO 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë, edhe ashtu të brishtë të rajonit”, është thënë mes tjerash në deklaratë.
Vendimet për të dyja do të merren “në kohën e duhur”, tha UEFA.
Shtatë tifozë të ekipit kombëtar të Serbisë janë dërguar në mbajtje më 16 qershor, pasi ishin përfshirë në një përleshje në qytetin Gelsenkirchen në Gjermani, para ndeshjes së skuadrës së tyre kundër Anglisë.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.
Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co