Koreja e Jugut do të shqyrtojë mundësinë e furnizimit me armë për Ukrainën, tha një zyrtar presidencial, pasi udhëheqësit e Koresë së Veriut dhe Rusisë nënshkruan një pakt që premton mbrojtje të ndërsjellë në rast lufte.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Koresë së Jugut, Chang Ho-jin bëri komentet në një konferencë për gazetarët dhe tha se Seuli do të përgjigjet me vendosmëri së bashku me komunitetin ndërkombëtar ndaj çdo akti që kërcënon sigurinë e tij, sipas Reuters.
Koreja e Jugut ka ofruar ndihmë jovdekjeprurëse për Ukrainën, duke përfshirë pajisje për pastrimin e minave, por deri më tani i ka rezistuar kërkesave të Kievit për armë.
Në një deklaratë zyrtare, Seuli dënoi gjithashtu marrëveshjen gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik të nënshkruar nga krerët e Koresë së Veriut dhe Rusisë këtë javë, duke thënë se ajo shkel sanksionet e Kombeve të Bashkuara.
“Qeveria thekson qartë se çdo bashkëpunim që ndihmon drejtpërdrejt ose indirekt Korenë e Veriut të rrisë fuqinë e saj ushtarake është shkelje e rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe është subjekt i monitorimit dhe sanksioneve nga komuniteti ndërkombëtar,” tha zyra presidenciale në një deklaratë, duke shtuar se një shkelje e tillë do të përkeqësonte marrëdhëniet e Seulit me Moskën.
Koreja e Veriut dhe Rusia ringjallën një marrëveshje të bërë gjatë epokës së Luftës së Ftohtë kur liderët e tyre u takuan në Phenian këtë javë dhe ranë dakord të ofrojnë ndihmë ushtarake nëse sulmohen ndonjëherë.
(A.A/BalkanWeb)
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co