Një anije në Detin e Kuq u sulmua të martën nga një dron që dyshohet të jetë i grupit rebel jemenas, Huthi, thanë autoritetet.
Sulmi ndodhi në perëndim të portit të Hodeidës dhe predha shkaktoi “dëmtim të lehtë” në dritaret e anijes në urë, thanë Operacionet e Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar.
Një anije e vogël kishte qenë pranë anijes përpara sulmit, sipas autoriteteve britanike.
Firma e sigurimit të anijeve, Ambrey, e identifikoi atë si një anije mallrash me flamurin e Barbadosit, në pronësi të Mbretërisë së Bashkuar.
“Askush nuk u lëndua në bordin e anijes, e cila pësoi vetëm ‘dëmtime të vogla’”, thuhet në njoftimin e kompanisë Ambrey.
Më vonë, një zëdhënës ushtarak i rebelëve Huthi , grup i mbështetur nga Irani, Yahya Saree, tha në një deklaratë se forcat rebele sulmuan dy anije të veçanta në Detin e Kuq, një amerikane dhe një britanike. Ai nuk dha asnjë provë për ta mbështetur këtë.
Një nga anijet që Huthët pretenduan se e kishin sulmuar përputhej me detajet e dhëna nga Ambrey. Të dhënat e gjurmimit treguan se ajo ishte në Detin e Kuq.
Pronari i anijes, tha për Associated Press se, askush nuk u lëndua nga sulmi dhe se anija po vazhdonte për në Singapor.
Huthët filluan të shënjestrojnë anijet në Detit të Kuq në nëntor të vitit të kaluar, duke thënë se ata po goditnin anijet e lidhura me Izraelin dhe sipas tyre, këtë po e bëjnë në mbështetje të palestinezëve në Gazë.
Lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – ka filluar më 7 tetor 2023 pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit.
Por, grupi rebel, Huthi, shpesh ka shënjestruar anije me lidhje të dobëta ose aspak të qarta me Izraelin, duke vënë në rrezik transportin në një rrugë kyçe për tregtinë midis Azisë, Lindjes së Mesme dhe Evropës.
Në javët e fundit, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, të mbështetur edhe nga aleatë të tjerë, kanë kryer sulme ajrore kundër grupit rebel, Huthi duke e përmbushur zotimin se do t’i vazhdojnë veprimet ushtarake ndaj grupeve të cilat i kanë sulmuar interesat e Perëndimit në rajon./REL
Grupi Balkanweb
Burimi informacionit @BalkanWeb: Lexo me shume ne : Bota Sot News botasot.co