Dita tjetër pas leksionit që Italia mori nga Spanja, humori në shtëpinë e kaltër është në pikën minimale, ndonëse për sa i përket kualifikimit për në 1/8-at e “Gjermani 2024”, skuadra e Luçiano Spaletit i ka të gjitha letrat në rregull, pasi kundër Kroacisë do të mjaftonte edhe një barazim, pa u sforcuar shumë. Gjithsesi, ai që ka dashur që të vërë fytyrën pas një disfatës me Spanjën ka qenë shefi i delegacionit “Axurr”, Xhanluixhi Bufon, që gjithashtu e ka përjetuar një situatë të tillë përballë “Furive të kuqe”, ku më e rënda është pa dyshim humbja e finales së “Euro 2012”.
“Mendonim se kishim arritur një pikë të lartë të nivelit tonë, pas fitores me Shqipërinë, por mesa duket hasëm në diçka që nuk e kishim pritur të ishte kaq me peshë, kaq e rëndë, e cila duhet të na bëjë që të mendojmë se kemi ende shumë për të kërkuar nga vetja dhe për t’u përmirësuar. Duke marrë parasysh gjithçka pamë në fushën e lojës, mendoj se për diçka jam dakord me trajnerin Spaleti, çështjen fizike, sepse duke parë shpejtësinë me të cilën spanjollët luanin kundrejt nesh na bëri shumë të mendojmë dhe të kuptojmë për vazhdimin e këtij kompeticioni. Si e pashë skuadrën? Pasi nervat janë ulur i pashë të qetë, ndryshe nga çfarë ndihej dhe përjetohej pas humbjes në fushën e lojës, ku menduam që të lëmë gjithçka në qetësi dhe të flisnim, pasi tension të ishte ulur. Në të njëjtën kohë, duhet t’i njohim meritat tona të plota Spanjës, e cila bëri një paraqitje vërtet madhështore dhe e meritoi fitoren.
Fundja, të njohësh meritat e kundërshtarit është karakteristikë e një grupi fitues. Vështirësitë që hasëm kundër tyre do të jenë diçka për t’u studiuar nga ana jonë në seancat në vazhdim, edhe pse në fund, të rezistosh 1-0 ndaj asaj Spanje dhe deri në fund të shpresosh në një barazim, duke parë lojën e bërë, sigurisht që ka edhe meritat dhe cilësitë tona brenda. Donaruma ishte shpëtimtari? Nuk dua ta quaj shpëtimtar, pasi kushdo zbret në fushë për të bërë detyrën e tij. Por kundër Spanjës, nëse Xhixho nuk pësonte atë gol, atëherë si rrallë herë që jepen në futboll, ai do të kishte merituar notën 10 dhe ne jemi me fat dhe të lumtur që mund të mbështetemi te një kapiten si ai. E them këtë sepse paraqitje si ajo që Donaruma bëri të japin kurajë që të vazhdosh të luftosh përtej vështirësive, por për të kaluar të tilla momente dhe situata të tjera si këto, do të mendojë trajneri ynë.
Madje, Spaleti ka nisur analizimet me detaje dhe po i vë në funksion në stërvitje. Sa vlen realisht Italia dhe e kemi frikë në pritje të Kroacisë? Nuk është se pas përmbysjes që i bëmë Shqipërisë si kombëtare vlenim 9 dhe tani pas Spanjës jemi për në vjeshtë me notën 4. Në futboll ka gjithmonë situata të papritura dhe Spanjën nuk e priste askush që të ishte aq e fortë, aq magjike, edhe pse cilësitë nuk ia kemi mohuar kurrë. Ndërkohë që me Kroacinë do të jetë një duel shumë i fortë sepse siç u shpreh portieri: “Ata janë një kombëtare që vërtet kanë gabuar dy ndeshjet e para, por në të fundit do të luajnë të gjitha shanset për një kualifikim të mundshëm dhe ne duhet të jemi gati për ata, pasi do të jetë një duel i bukur, por shumë i vështirë”, përfundoi Xhanluixhi Bufon.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co