Parlamenti i Maqedonisë së Veriut nisi të shtunën debatin lidhur me kabinetin e propozuar qeveritar nga i mandatuari Hristijan Mickovski.
Zoti Mickovski, gjatë fjalës para ligjvënësve theksoi projektet për rritjen ekonomike të vendit, përfshirë investimet e huaja.
Ai njoftoi uljen e taksave, rritjen e pensioneve, uljen e shkallës së papunësisë si dhe rritjen e pagave me 7 përqind.
Kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut foli për ruajtjen e marrëdhënieve të mira me vendet fqinje; theksoi synimet për integrimin në Bashkimin Evropian dhe mbështetjen për Ukrainën.
Ndërkohë, sa i takon kandidatëve për ministra, ai tha ata do të jenë vazhdimisht “nën vëzhgim dhe vlerësim” dhe se nga ata kërkohen rezultate të shpejta dhe projekte.
Opozita e drejtuar nga Lidhja Social Demokrate tha se nuk pret një qeveri përparimtare, “por përkundrazi një pushtet që rrezikon të krijojë probleme me vendet fqinje”.
Fronti Evropian i drejtuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim e shikon qeverinë e re “si një projekt mono-etnik që do të shkelë Marrëveshjen e Ohrit”.
Qeveria do të ketë 24 anëtarë, përfshirë kryeministrin. VMRO-ja do të drejtojë 15 ministri, koalicioni i partive shqiptare “Vlen” 6 dhe partia “Znam” dy ministri në qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.
Debati në parlament do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme, ndërsa votimi pritet të bëhet para mesnate. Shumica e parlamentare i ka votat e nevojshme për miratimin e kabinetit qeveritar.
NDIQE LIVE “PANORAMA TV” © Panorama.al Burimi informacionit @Panorama.al: Lexo me shume ne :bota sot www.botasot.co